E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
25 qytete mbeten pa kryetar e këshill, si do të përfaqësohen në bashkitë e reja?
Lajme

25 qytete mbeten pa kryetar e këshill, si do të përfaqësohen në bashkitë e reja?

Projekti i Partisë Socialiste për reformën e re territoriale nuk parashikon vetëm uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, por edhe një riorganizim të thellë të pushtetit vendor, duke krijuar një strukturë të re administrative me 46 bashki, 71 qytete dhe 387 njësi administrative.

Nëse kjo skemë miratohet, 25 qytete që aktualisht funksionojnë si bashki do ta humbasin këtë status. Si pasojë, ato nuk do të kenë më kryetar të zgjedhur dhe as këshill bashkiak, por do të drejtohen nga një nënkryetar i emëruar nga bashkia qendër.

Një nga çështjet që ngre më shumë diskutime është mënyra se si këto qytete do të përfaqësohen në vendimmarrjen e bashkisë mëmë. Për të shmangur mungesën e përfaqësimit, në diskutimet për reformën është hedhur ideja që qytetet e shkrira të kenë përfaqësim proporcional në këshillin bashkiak të bashkisë ku do të përfshihen.

Megjithatë, kjo përballet me pengesa ligjore. Me sistemin aktual zgjedhor, këshillat bashkiakë zgjidhen përmes listave të mbyllura të partive politike, çka nuk garanton automatikisht përfaqësimin e çdo qyteti.

Një nga rastet që ilustron këtë problem është zgjerimi i propozuar i Bashkisë Elbasan me Cërrikun dhe Belshin. Në zgjedhjet vendore të vitit 2027, qytetarët do të votojnë për kryetarin e bashkisë dhe për këshillin bashkiak, por mënyra se si do të sigurohet prania e përfaqësuesve nga Cërriku dhe Belshi në këshill mbetet ende e paqartë.

Në praktikë po diskutohen dy alternativa. E para është që partitë politike të përfshijnë në mënyrë vullnetare kandidatë nga të gjitha qytetet në listat e tyre për këshillin bashkiak. Alternativa e dytë kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke vendosur kuota të detyrueshme që garantojnë përfaqësimin e çdo qyteti në këshillat e bashkive të reja.

Çështja pritet të jetë pjesë e debatit politik në muajt në vijim, pasi çdo ndryshim i tillë do të kërkojë ndërhyrje ligjore. Ndërkohë, reforma territoriale vazhdon të shoqërohet me kundërshtime politike dhe protesta lokale në disa prej bashkive që parashikohet të humbasin statusin e tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.