“2A Group” sulmon Gjykatën e Lartë për Aeroportin e Vlorës
“Vendimi i paracaktuar dhe me konflikt interesi”
Kompania “2A Group” ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet më të fundit gjyqësore për administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke ngritur akuza të forta për atë që e cilëson si një situatë të paprecedentë në sistemin e drejtësisë.
Në një deklaratë zyrtare, kompania thekson se në të gjitha përballjet e deritanishme në gjykatat e faktit, shoqëria “Mabco Construction” nuk ka arritur të fitojë asnjë proces. Sipas saj, 12 vendime radhazi nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit, të dhëna nga mbi 20 gjyqtarë të ndryshëm, kanë konfirmuar rrezikun që i kanoset këtij aseti strategjik nga përfshirja e strukturave dhe detyrimeve të paautorizuara “offshore”.
“2A Group” shprehet se vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë bie në kundërshtim të hapur me këtë praktikë të konsoliduar, duke e cilësuar atë si një zhvillim jo normal në aspektin juridik. Sipas kompanisë, është e pakuptueshme që një instancë e lartë të injorojë një bazë të gjerë faktesh dhe vendimesh të mëparshme, duke marrë një qëndrim të izoluar vetëm për një pjesë të çështjes.
Në reagim ngrihen edhe dyshime për konflikt interesi në trupën gjykuese. Kompania pretendon se kryesuesi i gjykimit ka pasur lidhje të afërta me përfaqësuesin ligjor të palës kundërshtare, një fakt që, sipas saj, ishte denoncuar më herët në rrugë institucionale, por nuk është marrë në konsideratë.
Sipas “2A Group”, kjo situatë tregon për një mungesë të theksuar të paanësisë dhe integritetit në proces, duke e cilësuar vendimmarrjen si të paracaktuar dhe në kundërshtim me frymën e ligjit.
Kompania deklaron se nuk do ta njohë këtë vendim si bazë për të legjitimuar, sipas saj, skema të dyshimta financiare që lidhen me Aeroportin e Vlorës dhe paralajmëron vijimin e betejës ligjore në të gjitha instancat përkatëse.
Në fund, theksohet se vendimi i Gjykatës së Lartë lidhet vetëm me një nga masat e sigurimit të padisë dhe nuk përbën shqyrtim të themelit të çështjes.
Sqarim per publikun
Shoqëria “2A Group” sh.p.k. sqaron opinionit publik dhe institucioneve mbikëqyrëse të sistemit të drejtësisë për të denoncuar një anomali të paprecedentë ligjore dhe një cenim flagrant të procesit të rregullt ligjor, lidhur me administrimin e interesave në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA).
Deri më sot, në përballjet e vazhdueshme gjyqësore, asnjë instancë e gjykatave të faktit nuk i ka dhënë të drejtë shoqërisë “Mabco Construction” S.A. Përkundrazi, përmes 12 vendimeve të njëpasnjëshme, të dhëna nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit me trupa që përfshijnë mbi 20 gjyqtarë të ndryshëm, është provuar me themel dhe me prova të pakontestueshme e vërteta. Këto gjykata kanë konfirmuar rrezikun objektiv që i kanosej këtij aseti strategjik nga tentativa për inkorporimin e strukturave të dyshimta dhe detyrimeve të paautorizuara “offshore”.
Vendimmarrja e fundit e Gjykatës së Lartë nuk përbën një zhvillim normal jurisprudencial, por një paradoks që ngre pikëpyetje thelbësore mbi funksionimin e shtetit të së drejtës. Është juridikisht e pakuptueshme dhe logjikisht e pamundur që një instancë e lartë të injorojë plotësisht një vëllim kaq masiv faktesh dhe të përmbysë një praktikë kaq të konsoliduar, duke disponuar në mënyrë të izoluar vetëm për njërin nga proceset.
Kjo anomali shpjegohet vetëm nga një fakt se ky nuk është një vendim i mbështetur në frymën dhe gërmën e ligjit, por një vendim i paracaktuar. Procesi është zhvilluar në kushtet e një konflikti të hapur dhe të njohur interesi, pasi kryesuesi i trupit gjykues ka raporte të afërta dhe të ngushta me përfaqësuesin ligjor të palës tjetër.
Shoqëria jonë e kishte denoncuar paraprakisht dhe zyrtarisht këtë fakt pranë organeve kompetente të drejtësisë, duke kërkuar garantimin e paanësisë përpara se ky vendim të merrej. Fakti që ky denoncim institucional u shpërfill dhe procesi u dërgua drejt një rezultati të paramenduar, tregon një mungesë të thellë të integritetit profesional dhe procedural në këtë gjykim të veçuar.
“2A Group” sh.p.k. deklaron me vendosmëri se një vendim i tillë i paracaktuar dhe thellësisht i vesuar nuk do të shërbejë si mjet për të legjitimuar asnjë skemë të errët financiare mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Beteja ligjore do të vazhdoje në të gjitha instancat e nevojshme, për të zhbërë këtë absurditet juridik dhe për të mbrojtur këtë aset të rëndësisë kombëtare nga interesat “offshore”.
P.S
Vendimi i gjykates se larte ka te bëjë vetëm me njerën nga masat e sigurimit te padise dhe nuk lidhet me shqyrtim themeli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



