Misteri i Ines Hajrullës, babai i tij kontakton me policinë
“S’kemi kontakt prej dy ditësh“
Misteri rreth fatit të Inez Hajrullës vijon të mbetet i pazbardhur, ndërsa Policia e Vlorës ka ndërmarrë verifikime të reja për të sqaruar se çfarë ka ndodhur me të shumëkërkuarin.
Sipas informacioneve të bëra publike, efektivët kanë kontaktuar babain e tij, Robert Hajrullën, i cili ka deklaruar se nuk ka pasur komunikim me të birin gjatë dy ditëve të fundit.
Megjithatë, ai ka shpjeguar se kjo nuk përbën domosdoshmërisht një situatë të pazakontë, pasi i biri është në kërkim ndërkombëtar dhe nuk e kontakton çdo ditë. Sipas deklarimit të tij, ai beson se Inez Hajrulla ndodhet jashtë vendit.
Babai ka bërë të ditur se do t’i drejtohet policisë për humbjen e kontakteve nëse kalojnë 72 orë pa marrë asnjë telefonatë apo sinjal nga i biri që të tregojë se është mirë.
Dyshimet për rrëmbim, miqtë humbën kontaktet me Hajrullën
Alarmi për fatin e Hajrullës u ngrit pasi persona nga rrethi i tij shoqëror raportuan se kishin humbur kontaktet me të.
Sipas versionit të treguar prej tyre, ai ndodhej në Tiranë dhe dyshohet se mund të jetë marrë nga persona të veshur me jelekë të ngjashëm me ata që përdoren nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH).
Miqtë e tij dyshohet se kanë tentuar të mësojnë se në cilin komisariat ishte shoqëruar, por, sipas informacionit të përcjellë, nuk kanë gjetur të dhëna që ai të ishte arrestuar. Kjo ka shtuar pikëpyetjet dhe shqetësimin për vendndodhjen e tij.
Deri tani, nuk ka një konfirmim zyrtar se Hajrulla është rrëmbyer dhe as të dhëna të konfirmuara për personat që mund të kenë qenë të përfshirë në një ngjarje të tillë.
Dyshimet për vajzën e showbiz-it dhe pamjet e kamerave
Një tjetër pistë që ka dalë në raportimet për këtë rast lidhet me dyshimet se Hajrulla mund të ketë qenë në shoqërinë e një vajze të botës së showbiz-it në një hotel, përpara humbjes së kontakteve.
Identiteti i saj dhe rrethanat në të cilat dyshohet se ndodhej me të nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse ajo ka humbur kontaktet në të njëjtat rrethana apo nëse ka ndodhur një ngjarje tjetër.
Sipas informacioneve të siguruara nga Publik.al, persona nga rrethi shoqëror i Hajrullës kanë nisur të mbledhin pamje nga kamerat e sigurisë. Edhe policia po kryen verifikime dhe po mbledh pamje filmike, me qëllim rindërtimin e lëvizjeve të tij dhe sqarimin e rrethanave.
Mbetet për t’u parë nëse pamjet e kamerave do të ndihmojnë në përcaktimin e itinerarit të Hajrullës, në identifikimin e personave me të cilët mund të jetë takuar dhe në verifikimin e dyshimeve për një pengmarrje të mundshme.
Në kërkim nga SPAK, përplasjet me grupet rivale
Inez Hajrulla është në kërkim me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të një çështjeje ku dyshohet për përfshirje në vrasje dhe grup kriminal.
Emri i tij është lidhur me zhvillimet e botës kriminale në Vlorë. Sipas raportimeve, ai mori drejtimin e grupit pas vrasjes së Edison Harizajt, i njohur edhe si Edison Faqedjeguri, në vitin 2018.
Hajrulla është përmendur gjithashtu në raportime për përplasje me grupe rivale në Vlorë, ndërsa disa operacione për kapjen e tij nuk kanë përfunduar me arrestimin e tij.
Për momentin, policia po verifikon informacionet për humbjen e kontakteve me të, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një rrëmbim, për një lëvizje të qëllimshme për të shmangur autoritetet apo për rrethana të tjera.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



