34-vjeçari Indrit Ndoj që u gjet i pajetë në kanal nuk është qëlluar me armë zjarri
Ndryshe nga versioni i parë i policisë pas gjetjes së trupit të pajetë të Indrit Ndojit, 34-vjeçari mësohet se është goditur në këmbë me kaçavidë dhe jo me armë zjarri.
Ky dyshim i grupit të hetimit është ngritur pas kqyrjes së trupit të pajetë të viktimës, i cili mëngjesin e së premtes u gjet i vdekur në një kanal në zonën e Fushë-Krujës.
Tv Klan ka mësuar se hetuesit janë të bindur që 34-vjeçari është goditur pikërisht në rrugën ‘Bakushe Visha’, në vendin ku u gjet dhe i pajetë. Ndoji dyshohet se është qëlluar rreth 3 orë përpara se të gjendej pa shenja jete në afërsi të banesës së prindërve të tij.
Gjithashtu hetuesit kanë zbuluar se në momentin e konfliktit ndaj 34-vjeçarit, viktima ka qenë në gjendje të dehur. Nisur nga këto rrethana prokuroria dhe policia kanë dyshime se ngjarja mund të ketë ardhur si pasojë e një konflikti çasti.
Mësohet se 34-vjeçari kishte qenë i arrestuar në vitin 2021 për trafik klandestinësh. Për këtë vepër penale Indrit Ndoji ishte në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



