E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
34-vjeçarja në burg bashkë me foshnjen, kujtohet më në fund Begaj
Lajme

34-vjeçarja në burg bashkë me foshnjen, kujtohet më në fund Begaj

Presidenti kërkon masa ligjore për ta liruar

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kërkuar nga institucionet ligjzbatuese të vlerësojnë mundësitë për lirimin e 34-vjeçares së arrestuar në Aeroportin e Rinasit, e cila është nënë e tre fëmijëve të mitur.

Burime bëjnë me dije se kreu i shtetit ka kërkuar informacion nëse rasti në fjalë përfshihet në ligjin për amnistinë. Në rast se kjo nuk rezulton e zbatueshme, Presidenti i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me kërkesë për një propozim zyrtar për amnisti individuale, duke marrë në konsideratë rrethanat familjare të gruas, përfshirë faktin që një prej fëmijëve ka probleme shëndetësore.

34-vjeçarja u arrestua në momentin e mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe më pas u shoqërua drejt institucionit të vuajtjes së dënimit, së bashku me foshnjën e saj 7-muajshe. Ajo ishte dënuar me dy muaj burg për veprën penale të dhunës në familje, pas një kallëzimi të bërë nga vjehrri.

Arrestimi u shoqërua me vështirësi për shkak të pranisë së tre fëmijëve të mitur, përkatësisht 7 muajsh, 2 dhe 4 vjeç. Gruaja ka kërkuar që fëmijët të qëndrojnë pranë saj, duke deklaruar se nuk kishte mundësi t’i linte në përkujdesjen e personave të tjerë.

Pas përfundimit të procedurave, ajo është transferuar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, së bashku me foshnjën. Ndërkohë, pritet që edhe fëmija 2-vjeçar t’i bashkohet nënës, ndërsa për fëmijën tjetër është siguruar kujdesi nga familjarët.

Sipas të dhënave të publikuara, dënimi prej dy muajsh konsiderohet pjesë e kategorive që mund të përfshihen në ligjin për amnistinë. Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se 34-vjeçarja nuk kishte zbatuar më herët vendimin gjyqësor, çka çoi në ekzekutimin e urdhrit të arrestit pas rikthimit të saj në Shqipëri.

Çështja tashmë pritet të marrë një vlerësim të mëtejshëm nga institucionet përkatëse, nëse do të aplikohet një zgjidhje ligjore në favor të lirimit të saj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.