IKMT zbarkon në jug, shembje në Qeparo, Llogara dhe Himarë
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në bregdetin e jugut, duke ndërhyrë në disa zona të Himarës, Qeparos dhe Llogarasë.
Sipas njoftimit zyrtar, në zonën e Llogarasë, pjesë e Njësisë Administrative Orikum, është prishur një objekt njëkatësh pa leje me sipërfaqe 53 metra katrorë, i ndërtuar me muraturë dhe i mbuluar me soletë. Objekti rezultonte i skualifikuar më herët nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Ndërhyrje është kryer edhe pranë plazhit të Filikurit në Bashkinë Himarë, ku IKMT shembi një strukturë me mur guri dhe betoni, me gjatësi rreth 290 metra dhe lartësi 2 metra.
Ndërkohë, në Qeparo u prish një objekt dykatësh me konstruksion betonarme dhe metalik, i ndërtuar pa leje, me sipërfaqe totale 264 metra katrorë.
Aksioni i IKMT vjen në një moment të tensionuar për institucionet që mbikëqyrin territorin në jug të vendit. Pak ditë më parë, gjatë një operacioni policor, u arrestua kryeinspektori i IMT-së, Dorian Hoxha, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe favorizim të ndërtimeve pa leje.
Po ashtu, çështja e ndërtimeve të paligjshme në vijën bregdetare çoi edhe në arrestimin e drejtuesve të Komisariatit të Sarandës, të cilët dyshohet se kanë lejuar, përmes korrupsionit dhe ryshfetit, ngritjen e strukturave të paligjshme nga subjekte të lidhura me grupe kriminale.
Autoritetet kanë paralajmëruar se aksionet në bregdet do të vijojnë, ndërsa fokusi mbetet lirimi i hapësirave publike dhe goditja e ndërtimeve të ngritura në kundërshtim me ligjin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



