5 orë pengmarrje, kërcënime me vdekje dhe pazare në hije
Gerond Meçe rrëfen makthin e rrëmbimit: Më kthyen me fenelinat e policisë
Gerond Meçe, në dëshminë e tij të dhënë përpara prokurorëve të SPAK, ka zbardhur me detaje tronditëse gjithçka që ndodhi gjatë rreth pesë orëve të pengmarrjes së tij, duke përshkruar minutë pas minute momentet e frikës, presionit dhe kërcënimeve që përjetoi.
Në dëshminë e tij, biznesmeni Gerond Meçe rrëfen se gjatë gjithë kohës që mbahej peng, personat që e kishin rrëmbyer komunikonin herë pas here nga telefoni i tij personal me administratorin e kompanisë së tij, përmes aplikacionit WhatsApp.
Sipas Meçes, pengmarrësit jo vetëm që përdornin telefonin e tij për të ushtruar presion ndaj administratorit, por në disa momente ia jepnin edhe vetë atij telefonin në dorë, duke e detyruar të fliste drejtpërdrejt me përfaqësuesit e kompanisë, me qëllim që të realizohej sa më shpejt tërheqja e kompanisë nga procedurat e ankimimit. Kjo pasi, sipas tyre, qëllimi kryesor i rrëmbimit nuk po realizohej brenda afatit që ata prisnin.
Për të ulur tensionin dhe për të mos ngritur dyshime, pengmarrësit e lejuan gjithashtu Gerond Meçen të komunikonte edhe me bashkëshorten e tij. Ai tregon se e siguroi gruan se gjithçka ishte në rregull, edhe pse në realitet ndodhej i prangosur dhe nën kërcënimin e armëve.
“Gjatë kësaj kohe ata më lejuan të flisja edhe me gruan, të cilës i thashë: ‘Jam mirë, kam disa punë, do të të marr më vonë’. Ndërkohë telefoni im binte pa pushim dhe pashë që ishte vëllai im. Fola me të dhe i thashë: ‘Mos u shqetëso, por fol me administratorin, Mimin’”, ka dëshmuar Meçe.
Ndërkohë, teksa qëndronte i prangosur në sediljen e makinës dhe nën vëzhgimin e dy personave që e ruanin, Gerond Meçe arriti të kuptojë se pengmarrësit ishin nga zona e Elbasanit, gjë që e dalloi nga dialekti i tyre, duke qenë se edhe ai vetë është nga kjo zonë. Madje, gjatë bisedave të rastësishme, mësoi se njëri prej tyre sapo ishte bërë baba.
Teksa orët kalonin dhe pritja zgjatej, dy personat që qëndronin me të në makinë nisën të shfaqnin padurim. Ata e pyetën: “Edhe sa zgjat kjo procedurë?”, ndërsa njëri prej tyre iu drejtua personit kryesor të grupit me pyetjen: “Çfarë po presim?”. Ky i fundit u përgjigj shkurt: “S’kemi konfirmim”.
Në atë moment, ora në panelin e makinës shënonte 15:10.
Sipas dyshimeve të ngritura nga vetë biznesmeni, grupi i pengmarrësve vendosi ta lironte atë vetëm pasi mori konfirmimin se kompania e tij kishte kryer tërheqjet e ankimimeve të depozituara në sistemin e Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP). Lirimi i tij, sipas Meçes, ndodhi rreth orës 16:20 të datës 12 gusht 2025.
Gerond Meçe e lidh këtë dyshim me faktin se, bazuar në përvojën e tij, personat që organizuan rrëmbimin dhe ushtruan presion ndaj tij duhet të kishin patjetër mbështetje apo lidhje të forta brenda KPP-së, që u mundësonin verifikimin në kohë reale të tërheqjeve nga sistemi.
Në këtë kuadër, ai përmendi edhe emrin e një anëtari të KPP-së, i cili sipas tij ka lidhje të drejtpërdrejta me biznesmenin Ermal Beqiri, me të cilin Meçe deklaroi se kishte konflikte të vazhdueshme në fushën e aktivitetit të tij profesional.
Megjithatë, pavarësisht se koha po kalonte, grupi i pengmarrësve nuk po shfaqte ende vullnet për ta liruar. Sipas Meçes, ata po prisnin një garanci shtesë: që familjarët e tij të mos kishin bërë kallëzim në polici.
Vetëm pasi u siguruan se një denoncim i tillë nuk ishte kryer, ata vendosën ta lironin. Por përpara se ta nxirrnin nga makina, nuk kursyen as kërcënimet ndaj familjes së tij.
“Pasi personi i tretë shkoi te bagazhi i makinës, u afrua personi i parë dhe tha: ‘Në polici nuk ka denoncim’. Rreth orës 16:20 u futëm sërish në makinë dhe morëm rrugën drejt Elbasanit nga rruga e vjetër. Pas urdhrit të shoferit, personat që kisha në krah më hoqën prangat. Shoferi më tha: ‘Hap sytë, po shikon ku je’. I thashë se e dija shumë mirë, pasi jam nga Elbasani dhe ndodheshim në Gracen”, ka rrëfyer Meçe.
Por gjatë kthimit, sipas dëshmisë së tij, diçka ndryshoi papritur. Një telefonatë e marrë nga pengmarrësit bëri që ata të ndryshonin itinerarin dhe vendin ku do ta zbrisnin.
“Gjatë kthimit përdorën sirenën e policisë për të hapur rrugën. Makina u fut në drejtim të fshatit Shijon, por më pas njëri prej tyre foli në telefon dhe mori urdhër të ndryshonte itinerarin. Makina u kthye në rrugën nacionale dhe mua më lanë rreth 200 metra larg rrethrrotullimit që të çon në autostradën Elbasan–Tiranë”, ka treguar ai.
Në momentin e lirimit, kërcënimet u bënë edhe më të drejtpërdrejta.
“Shoferi më tha: ‘Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime. Në të kundërt do të vrasim ty, gruan, motrën, nënën… se babë nuk ke ti’”, ka dëshmuar Meçe.
Edhe pse i premtuan se do t’i kthenin sendet personale, laptopin dhe telefonin, kjo nuk ndodhi kurrë. Biznesmeni u la në mes të rrugës, pa telefon dhe pa para, duke u detyruar të kthehej në banesë vetëm falë rastësisë.
“Kur më zbritën, më dhanë vetëm mbajtësen e kartave të kreditit dhe syzet e diellit. Çantën e shpinës me laptopin, çantën e dorës dhe telefonin, premtuan se do t’i çonin te recepsioni i qendrës së biznesit ku kam zyrën, por këto sende nuk më janë kthyer as sot”, ka deklaruar ai.
Pasi u largua nga vendi ku u la, Meçe doli në rrugën nacionale drejt Bradasheshit, ku rastësisht kaloi një automjet i zyrës së tij që kthehej nga Berati. Gjatë gjithë rrugës drejt Tiranës, ai nuk i tregoi shoferit asgjë nga ajo që kishte ndodhur.
Vetëm pasi mbërriti në zyrë, nisi të kuptonte përmasat e ngjarjes dhe të mendonte se kush mund të ishin personat që kishin urdhëruar dhe organizuar rrëmbimin e tij.
Sipas dëshmisë, familja e tij ndërkohë kishte ngritur alarmin dhe po përgatitej të bënte denoncim në polici rreth orës 18:00, pasi kishin humbur kontaktet me të që prej orës 15:00.
Babai i tij kishte shkuar në shtëpi dhe kishte shprehur dyshimin se Gerondi ishte marrë nga policia. Vëllai i tij kishte parë pamjet filmike të kamerave të sigurisë, kishte identifikuar targën e makinës dhe kishte shkuar në disa komisariate, por pa marrë asnjë informacion. Ai ishte paraqitur edhe në SPAK, por edhe aty kishte marrë përgjigje negative, çka forcoi dyshimin për rrëmbim.
Pas kthimit në zyrë, Gerond Meçe konstatoi se ishin kryer tërheqje nga më shumë procedura prokurimi sesa ato që i kishin treguar pengmarrësit në tabelën Excel. Ai mësoi se administratori i kompanisë, Sh. K., fillimisht kishte tentuar t’i dorëzonte dokumentet dorazi në KPP dhe AKSHI, por kjo mënyrë nuk ishte pranuar. Për këtë arsye, ai ishte detyruar të realizonte tërheqjet përmes sistemit elektronik, proces që përfundoi rreth orës 15:00 të datës 12 gusht 2025.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



