NË KUJTIM
NË KUJTIM
Gaqo Çako
Legjenda e gjallë e tenorit
Nga ENO KOÇO
(Neraida, 2013)
Gaqo Çako është nder ata artistë të mëdhenj që shndritën në të porsaformuarën skenë të Teatrit të Operas dhe Baletit. Ai la gjurmë të pashlyeshme në jetën e këtij Teatri dhe në gjithë jetën muzikore të vendit. Gaqo Çako është një ndër tenorët më të pëlqyer të publikut operistik si dhe të gjinive më të lehta.
Por, përse është pëlqyer Gaqoja? Me të drejtë është vlerësuar timbri i tij i papërsëritshëm që e dallonte dhe i jepte individualitet të veçantë. Gjithmonë kam pasur përshtypjen që interpretimet e tij në partet operistike ai sikur i vishte me një rrobë poetike, ndërsa repertorin e tij të lehtë, pra këngën, ai e përkëdhelte duke hyrë në intimitetin emocional të saj e duke e bërë më të dashur për dëgjuesin.
Në interpretimet e tij Gaqoja i jepte rëndësi të veçantë diksionit, si një vlerë e domosdoshme për një komunikim të plotë të muzikës me dëgjuesin. Kurse me figurën elegante dhe sjelljen skenike ai tregonte vlera të veçanta aktoreske.
Jeta artistike e Gaqo Çakos është një eksperiencë e madhe që mund dhe duhet të shërbejë për brezat e ardhshëm të këngëtarëve tanë, të cilët kanë shumë për të mësuar prej tij. Në këtë kuptim libri i Enos merr një vlerë të veçantë dhe duhet përgëzuar si një shërbim dhe kontribut që i bëhet artit tonë muzikor në rrugën e një zhvillimi të suksesshëm e të pandalshëm.
Albert Paparisto
Nga parathënia e librit

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



