E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ambasada e SHBA-së: Dhuna nuk është angazhim qytetar, palët të vetëpërmbahen
Lajme

Ambasada e SHBA-së: Dhuna nuk është angazhim qytetar, palët të vetëpërmbahen

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar lidhur me protestat dhe tensionet e regjistruara në kryeqytet, duke bërë thirrje për shmangien e dhunës dhe respektimin e së drejtës për demonstrim paqësor.

Përmes një mesazhi të publikuar në shqip dhe anglisht, ambasada thekson se dhuna ndaj personave dhe dëmtimi i pronës nuk përbëjnë forma të pranueshme të angazhimit qytetar.

“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Përfaqësia diplomatike amerikane u bën thirrje qytetarëve që zgjedhin të protestojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre në mënyrë paqësore, pa u përfshirë në akte të dhunshme.

Njëkohësisht, ambasada kërkon vetëpërmbajtje dhe qetësi nga të gjitha palët e përfshira, në një moment kur protestat në Tiranë janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit.

Reagimi vjen pas disa ditësh tensionesh në kryeqytet, ku demonstratat kundër qeverisë janë shoqëruar me përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga policia, si dhe me hedhjen e mjeteve të forta dhe koktejeve Molotov nga protestuesit.

Në mesazhin e saj, ambasada nuk mban qëndrim për kërkesat politike të protestuesve, por përqendrohet te nevoja për protesta paqësore dhe shmangia e dhunës nga të gjitha palët.

Screenshot
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.