863 mijë eurot s’ishin për ne”/ Ja përgënjeshtrimi që vë në pozitë të vështirë biznesmenin.
Dëshmitë e administratores dhe financierëve të kompanisë “Kurum” kanë rrë- zuar atë të biznesmenit 25-vjeçar, Orest Sota, i ndaluar më 1 nëntor nga Policia e Elbasanit me 863 mijë euro kesh në automjet dhe me dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sota, në dëshminë e parë para oficerëve të Policisë së Elbasanit, u justifikua se paratë i kishte për të kryer një transaksion me kompaninë “Kurum” për një sasi të konsiderueshme hekuri që pretendonte se do të blinte atje. Mirëpo, Prokuroria ka marrë në pyetje administratoren e firmës “Kurum” dhe dy financierë të saj.
Ata kanë thënë në Prokurori se kompania nuk priste para nga biznesmeni Sota dhe se kjo kompani kurrë nuk ka kryer transaksione parash në dorë me një vlerë prej mbi 150 mijë lekësh të vjetër. Ky ka qenë shpjegimi i kryefinancierit Arif Shkalla dhënë para prokurorëve. Në të njëjtën linjë ishte edhe administratorja e kompanisë, Lindita Kikino.
Ajo ka përjashtuar në mënyrë kategorike se shuma e majme e parave e gjetur në mjetin që drejtohej pa patentë nga Sota ishte e destinuar drejt kompanisë. Kikino ka thënë se nuk ka pasur dijeni për një pagesë të tillë dhe se forma e dorëzimit në dorë është e jashtëligjshme dhe nuk lidhet aspak me mënyrën se si kompania i kryen transaksionet. Këto përgënjeshtrime vënë në një pozitë të vështirë biznesmenin, i cili duhet të justifikojë tashmë shumën e majme që kishte në automjet.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Elbasanit pati shpallur moskompetencë për hetimin e burimit të parave të Sotës, duke ia kaluar çështjen Krimeve të Rënda. Ditën e djeshme, materialet kanë kaluar te Krimet e Rënda dhe brenda 10 ditësh, Orest Sota do të dalë para Gjykatës në kryeqytet për rivlerësim mase të sigurisë.
BASHKIMI I DOSJES ME “TAHIRI-HABILAJ”
Dosja e Orest Sotës i është bashkuar asaj të Tahiri-Habilaj. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda e konfirmojnë një gjë të tillë për “Panoramën”. Indicia që çoi në këtë bashkim ka qenë gjetja e tri patentave të familjes Tahiri në automjetin e biznesmenit Sota.
Edhe pse ky i fundit pati thënë në Prokurorinë e Elbasanit se patentat i harroi shoferi i ish-ministrit të Brendshëm në mjetin e tij, Prokuroria ka arsye të dyshojë se kemi të bëjmë me “pastrim të elementëve të veprës penale”. Tashmë që dosja ka kaluar te Krimet e Rënda, Prokuroria ka nisur hetimin pasuror për biznesmenin Orest Sota.
Gjithashtu, burimet jozyrtare nga Krimet e Rënda konfirmojnë se një hetimi pasuror të ngjashëm do t’i nënshtrohet edhe ishministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit akuzohet për “trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, si edhe për “korrupsion pasiv”.
Nga ana tjetër, janë sekuestruar pasuritë e familjes së Habilajve, që dyshohet se janë vënë me para të ardhura nga trafiku i drogës. Tashmë që të gjitha dosjet, përfshirë edhe atë të Katanias, janë te Krimet e Rënda, pritet të rimerret në pyetje ish-ministri Tahiri, kësaj here me iniciativë të organit të akuzës.
Në dëshminë e parë, të dhënë para prokurorëve, ish-ministri mësohet të ketë përjashtuar çdo lloj lidhjeje të tij me trafikun e drogës që kryente grupi i Habilajve, nga Shqipëria drejt Italisë së Jugut. Për hetimin pasuror të Tahirit, Krimet e Rënda po bashkëpunojnë ngushtë me ILDKP-në. Ish-ministri ka qenë në qendër të akuzave, edhe politike muajin e fundit. Por, megjithatë, ai vazhdon të mohojë përfshirjen e tij në trafikun e drogës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



