E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vangjush Dako aleancë  me  LSI-në, miratohet buxheti
Politikë

Vangjush Dako aleancë me LSI-në, miratohet buxheti

Këshilltarët e LSI-së bashkuan votat me socialistët në Këshillin Bashkiak, duke miratuar buxhetin e Bashkisë së Durrësit për vitin 2019. Buxheti është votuar mbrëmjen e djeshme në mbledhjen e radhës, pa praninë e asnjë prej 14 këshilltarëve të djathtë. Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit politike në qendër, mendohej se PS-ja nuk do të mblidhte votat e duhura (26) për të kaluar buxhetin. Por ndryshe nga sa pritej, këshilltarët e LSI-së bashkuan votat dhe bënë të mundur kalimin e tij.

Partia Socialistë ka 16 këshilltarë në Këshillin Bashkiak dhe bashkë me aleatët shkojnë në 22, por sërish pa votat e LSI-së apo PD-së, nuk e bënte dot kuorumin. Në këto kushte, janë dashur me patjetër të paktën gjashtë vota të LSI-së për të miratuar buxhetin e ri (LSI ka 14 këshilltarë).

Buxheti ka marrë 27 vota pro, duke siguruar kështu kuorumin e nevojshëm për miratimin e tij. Ndërkohë, të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan, me përjashtim të pikës 8 dhe 10, që u lanë për t’u diskutuar në mbledhjen e ardhshme.

BUXHETI

Buxheti i vitit 2019 kap shifrën e rreth 23 milionë eurove, me një rritje 5.7 për qind krahasuar me buxhetin e vitit 2018. Të pranishëm në këtë mbledhje mjaft të rëndësishme, pasi bëhet fjalë për miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm, ishin vetëm 27 këshilltarë, nga 51 që ka në total Këshilli Bashkiak Durrës. Në sallën e mbledhjes kanë munguar anëtarët e Këshillit Bashkiak të PD-së, të cilët e kanë bojkotuar mbledhjen, si dhe disa anëtarë të LSI. Por pjesa e këshilltarëve të këtij subjekti politik që ndodheshin në mbledhjen e radhës kërkuan disa ndryshime të vogla dhe u pajtuan me buxhetin e hartuar nga bashkia, duke ngritur kartonin jeshil.

Ata bashkuan votat për t’u hapur kështu dritën jeshile projekteve të parashikuara nga Bashkia e Durrësit për t’u realizuar në vitin 2019. Bashkia e Durrësit ka hartuar për vitin 2019 një buxhet, ku pjesa dërmuese e investimeve fokusohen në infrastrukturë dhe turizëm. Një numër i madh shkollash, çerdhesh e kopshte janë parashikuar të rikonstruktohen përgjatë vitit 2019, si dhe disa segmente rrugore që nuk u prekën nga investimet përgjatë këtij viti që po lëmë pas. Bashkia e Durrësit në buxhetin e ri ka parashikuar ndërtimin e një shëtitoreje gjigante përgjatë bregdetit te “Shkëmbi i Kavajës”, investim që kap vlerën e afro 4.5 milionë eurove. Ndërkohë, pjesa tjetër e parave të buxhetit të vitit të ardhshëm do të shkojë për nevojat operative të bashkisë.

DISKUTIMET

Dy pikat që nuk u miratuan në mbledhje dhe u lanë për t’u diskutuar në vijim kanë të bëjnë me disa ambiente që do të jepen me qira. Pika 8 ishte për miratimin e ndryshimit të pikës 1 të Vendimit të Këshillit Bashkiak nr.117, datë 16.11.2006, “Për miratimin e dhënies me qira të ambienteve të n.p.a, kati përdhe, të përshtatur në ambiente banimi, pronë shtetërore në lagjen nr.14, Shkozet Durrës. Ndërsa pika tjetër kishte të bënte me miratimin e dhënies me qira të terrenit sportiv, që përfaqëson dy fusha tenisi me sipërfaqe 1420 m2, të ambientit godinë 1 kat me sip. 32.4 m2 dhe të sip.124.6m2, si dhe të disa terreneve sportive të tjera.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.