E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
EMRI/ Grabitja e banesës së prindërve të Elton Çiçës, kapet autori pas 3 vitesh
Lajme

EMRI/ Grabitja e banesës së prindërve të Elton Çiçës, kapet autori pas 3 vitesh

Është arrestuar pas tre vitesh një prej autorëve të grabitjes me armë të banesës së prindërve të Elton Çiçës, i cili u ekzekutua në 2016.

Erigers Mihasi, 30 vjeç është shtetasi i arrestuar nga Policia.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kishte urdhëruar ndalimin e tij pasi ka dyshime të arsyeshme se ky shtetas ka marrë pjesë në vjedhjen me armë të banesës së shtetasit N. C. në qytetin e Tepelenës më datë 31.03.2015.

Ndalimi i tij u bë për veprat penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”

Ngjarja:

“Nga hetimi ka rezultuar se ka qenë pikërisht shtetasi E. I., i cili ka marrë nga qyteti i Tiranës për në Tepelenë, në banesën e shtetasit Elton Çiça, një ndër autorët e ngjarjes, shtetasin Robert Rama, me qëllim që ky i fundit të studionte nga afër banesën ku do të kryhej vjedhja”, bën me dije Prokuroria.

Sipas saj, shtetasi E. I. ka pasur dijeni të plotë në lidhje me gjendjen e një shume të madhe financiare që ka pasur i dëmtuari Elton Çiça, i cili përveç të tjerash, dispononte shumë pasuri dhe u kishte dhënë hua shuma të konsiderueshme parash atij dhe vjehrrit të tij ndërtues, shtetasit R. Z.

Prokuroria thekson se ardhja e autorit Robert Rama nga Tirana në Tepelenë pa kurrfarë interesi tjetër financiar, thjesht për të shoqëruar shokun e tij E. I., nuk ka asnjë sens dhe nuk është aspak alibi e besueshme.

“Shtetasi E. I., siç sqarohet edhe nga deklarimi i të dëmtuarës Antoleta Çiça, u ka dhënë autorëve edhe një kopje të çelësave të tri kateve të banesës, dyert e të cilave janë hapur me këta çelësa. Ervisi është pikërisht personi që i ka montuar dyert dhe dritaret e të tria kateve të banesës së prindërve të Elton Çiçës, ku më pas ndodhi edhe grabitja”, bën me dije më tej Prokuroria.

BASHKËPUNËTORI

Sipas hetimeve, pasi vjedhja nuk përfundoi me suksesin e shpresuar nga autorët dhe pasi automjeti i grabitësve ka mbetur në vendngjarje, bashkautori Robert Rama ka marrë në telefon E. I. për të shkuar dhe për t’i marrë me makinë në Tepelenë me qëllim që t’i transportonte për në Tiranë. Prokuroria vë në dukje se nëse nuk do të ishte edhe E. I. pjesë e planit të grabitjes në banesë, atëherë autori i krimit nuk do t’i kërkonte ndihmë me automjet pas ngjarjes, duke e ditur se ai kishte njohje me Elton Çiçën.

SERIALI I HAKMARRJES

Grabitja në banesën e prindërve të Elton Çiçës në Tepelenë, ndodhur më 30 mars 2015, solli një serial ngjarjesh të rënda më pas. Më 8 prill 2015, rreth orës 20:00, në Durrës është vrarë Robert Rama (i dyshuar për grabitjen në banesën e prindërve të Elton Çiçës).

Më 12.07.2015, në automjetin e markës “Fiat”, me targa AA 021 HD, në përdorim të E. I. (që dërgohet në gjyq nga prokuroria me dyshimin e bashkëpunimit në grabitje) është vendosur një sasi prej 600 gr lëndë eksplozive (tritol) e lidhur me një telefon, e gatshme për t’u shpërthyer; shpërthimi nuk është arritur sepse E. e ka diktuar lëndën shpërthyese.

Më 07.12.2015, në Kombinat, si pasojë e shpërthimit me lëndë eksplozive është shkatërruar automjeti model “Golf”, me targa AA 880 BX, ku brenda ishte pronari El. I., vëllai i E. I. Nga shpërthimi, El. I. është gjymtuar duke humbur një nga këmbët. Në vazhdim, më 1 maj 2016, rreth orës 22:20, në rrugën “Gjin Bua Shpati”, afër shkollës “Emin Duraku”, në mjediset e bar “De Niro”, ka ndodhur vrasja e Elton Çiçës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.