E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shpërbëhet “Forca e Ligjit” Xhafaj-Marku në Prokurorinë e Tiranës
Lajme

Shpërbëhet “Forca e Ligjit” Xhafaj-Marku në Prokurorinë e Tiranës

Struktura “Forca e Ligjit” në prokurorinë e Tiranës është shpërbërë, vetëm një vit pasi Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku dhe ish-mininistri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nënshkruan marrëveshjen për ngritjen e njësive të posaçme që kishin në fokus luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Forca e Ligjit” u krijuar me propagandë të madhe, por rezultatet e saj ishin thuajse inekzistente. Për këtë arsye, kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj ka vendosur shkrirjen e saj dhe krijimin e një strukture që ka ekzistuar edhe më parë, sektorin kundër korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe krimeve kompjuterike.

Në bazë të këtij ndryshimi, ish-“Forca e Ligjit” tashmë do të inkorporohet në strukturën e re, e cila do të ketë një numër më të lartë prokurorësh. Ende nuk është përcaktuar drejtuesi i seksionit të ri, por burime nga Prokuroria e Tiranës deklarojnë  se pritet të formalizohet emri i prokurorit Ndini Tavani.

“Forca e Ligjit” është një strukturë, e cila fillimisht u krijuar nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në nëntor 2017. Rreth 3 muaj më pas, në Shkurt 2018, Xhafaj nxiti Kryeprokuroren e Përkoshme, Arta Marku, për të nënshkruar një marrëveshje, në bazë të të cilës institucioni i Akuzës krijoi njësi të posaçme në rrethet kryesore të vendit.

“Forca e Ligjit”, gjithnjë sipas deklarimeve publike, kishte edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Madje, në ceremoninë e inagurimit të saj, në Ministrinë e Brendshme, ishin të pranishëm edhe dy zyrtarë të FBI-së amerikane, të cilët, sipas Xhafajt, do të asistonin policinë shqiptare.

Por, këta dy ekspertë të FBI-së, përveçse u shfaqën në takimin pompoz inagurues, nuk u dukën më në Shqipëri. Ata ishin oficerë të zyrën rajonale të Byrosë Federale Amerikane me seli në Rumani, të cilët mbaruan mandatin e tyre në Mars 2018. Prej asaj kohe, “Forca e Ligjit” nuk është asistuar, të paktën publikisht, nga agjentët e FBI.

Nuk është e qartë se përse mbëshetja e FBI-së, sipas deklarimeve të Xhafajt në atë kohë, nuk është më e pranishme në strukturën “Forca e Ligjit”. Por, mungesa e një suporti ndërkombëtar është e dukshme tek rezultatet e pakta të kësaj strukture në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Forca e Ligjit”, siç duket, nuk solli asgjë të re në aspektin hetimor të Prokurorisë, e, për këtë arsye, drejtuesja e institucionit të Akuzës së kryeqytetit ka vendosur që të zgjerojë objektin e njësisë, për të rritur efiçensën e prokurorëve.

Shefja e Prokurorisë së Tiranës ka ndërmarrë gjithashtu edhe disa ndryshime të reja në stafin mbështetës të saj. Imeraj ka vendosur të ndryshojë thuajse të gjithë shefat e seksioneve. Në bazë të këtyre ndryshimeve, drejtuesit e rinj të seksioneve janë: Elsa Miha tek seksioni i “Vjedhjeve”, Kolë Hysenaj tek “Antitrafiqet”, Ledina Rizo tek seksioni i “Ekzekutimeve të vendimeve penale”, Ervin Karanxha tek seksioni i krimeve të kryera nga të miturit dhe Kreshnik Ajazi tek seksioni i krimeve kundër Pronës.
Shefat e rinj të seksioneve iu bashkohën zv.drejtuesve Marjeta Zaimi dhe Genc Qana, të cilët kanë pasur këto pozicione në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga Ina Rama dhe u rikthyen pasi mori detyrën Arta Marku./Boldnews

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.