Nga rrethimi i godinës së qeverisë te djegia e mandateve, skenarët e protestës së opozitës
Protesta e opozitës sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka të konfirmuar vetëm orën e nisjes. Tubimi do të zhvillohet në orën 11:00.
Forma dhe mënyra e reagimit që do të shoqërojnë protestën do të jenë të gjitha pjesë e skenarëve, të cilët drejtuesit e opozitës do të tentojnë t’i vënë në zbatim në varësi të përgjigjes që do të marrin nga qytetarët, që i janë përgjigjur thirrjes së tyre.
Në zyrat e degëve lokale të PD-së në Tiranë dhe rrethe, drejtuesit e demokratëve janë pajisur me koordinata takimi përpara se të grumbullohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshet që rrethojnë Kryeministrinë.
Sqarojnë se nga selia qendrore e PD-së ka pasur një kërkesë të vetme për të gjitha degët lokale: Nevojitet rezistencë! Vendimi për t’u kërkuar strukturave të rezistojnë në protestë lidhet me një thirrje të vazhdueshme që kreu i PD-së, Lulzim Basha, u ka bërë qytetarëve përgjatë gjithë turit të tij nëpër Shqipëri: Nuk do të largohemi nga protesta pa rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Kërkesa zyrtare e dorëzuar nga Partia Demokratike në Policinë e Shtetit për lejen e protestës parashikon që ajo të zgjasë deri në orën 00:00. Por sipas të gjitha gjasave, strukturat e opozitës do të mobilizojnë njerëz për të qëndruar aty shumë më gjatë.
REZISTENCA
Mungesa e Kryeministrit Rama në zyrë mund të jetë një nga arsyet kryesore përse opozita dhe qytetarët do të tentojnë të qëndrojnë dhe ta mbajnë të rrethuar gjatë në kohë ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka paralajmëruar se Kryeministri do të ketë kohë vetëm 72 orë pas thirrjes së kësaj proteste, pasi më pas do të ketë fatin e Enver Hoxhës. Të mërkurën, më 20 shkurt, shqiptarët kujtojnë datën e rrëzimit të bustit të diktatorit Hoxha.
“Kam vetëm një këshillë për Edi Ramën. Është mirë të largohet pa u afruar 20 shkurti. Sepse 20 shkurti i ka disa simbolika”, ka paralajmëruar Paloka.Drejtuesit e opozitës mohojnë çdo skenar për dhunë. Por, pavarësisht këtyre deklaratave, bllokimi i rrugës “Ismail Qemali” nga Policia apo moslejimi për të protestuar në sheshin në krah të Piramidës mund të shënojnë përplasjen e parë të qytetarëve me forcat e rendit. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, por edhe drejtuesit e tjerë të opozitës kanë njoftuar se protesta e sotme nuk do të ketë fjalime politike.
Në një podium që do të ngrihet përpara Kryeministrisë, qytetarët do të jenë ata që do të flasin dhe do të tregojnë jetesën e vështirë nën qeverisjen e drejtuar nga Edi Rama. Fillimisht, qytetarët do të mblidhen në pikat e përcaktuara nga degët e Partisë Demokratike. Pikat e takimit të qytetarëve do të jenë sheshi “Skënderbej”, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, Rruga e Elbasanit, Fakulteti Ekonomik dhe Korpusi Universitar. Punimet që po zhvillohen në autostradën Tiranë-Durrës, por edhe në rrugën Tiranë-Kamzë, mund të sjellin vonesa në ardhjen e protestuesve nga Veriu, por edhe Jugu i Shqipërisë. Degët lokale të PD-së janë kujdesur që çdo qytetari, i cili do të marrë pjesë në tubimin e sotëm në Tiranë, t’i sigurohet transporti.
MANDATET
Një nga skenarët më të fortë të opozitës përgjatë zhvillimit të kësaj proteste është edhe vendimi ekstrem për djegien e mandateve. Të pyetur nga “Panorama” lidhur me këtë vendimmarrje, përfaqësuesit e opozitës as nuk e pohuan, por as nuk e mohuan një vendimmarrje të tillë, duke sqaruar se vetëm një mosreagim i zgjatur i maxhorancës përballë një revolte qytetare, do të çonte drejt këtij akti ekstrem. Në kampin opozitar është diskutuar shpeshherë mundësia e dorëzimit të mandateve nga përfaqësuesit e opozitës dhe në kushtet kur kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar se “pas 16 shkurtit nuk ka kthim pas”, ky mund të jetë edhe momenti i duhur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



