Meta takon Presidentin gjerman, flitet për stabilitetin e Kosovës e integrimin e Shqipërisë
Presidenti Ilir Meta ka takuar këtë të martë në Gjermani homologun e tij Steinmeier teksa bidesa e tyre ka patur në fokus integrimin e Shqipërisë dhe nevojën për një Ballkan stabël, sidomos në referëncë për Kosovën dhe debatin e nxehtë të shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
Në njoftimin për shtyp të Presidencës theksohet se Ilir Meta ka vënë në dukje vëmendjen e veçantë të Gjermanisë në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE dhe po ashtu edhe në klimën e stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit. Presidenti i Gjermanisë nga ana tjetër është shprehur se Republika Federale Gjermane do të mbështesë integrimin e Shqipërisë në BE dhe se do të jetë një partner i të gjitha vendeve të rajonit me synim ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkan.
Kujtojmë këtu se Gjermania është shprehur hapur disa herë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, dhe termat e përdorur nga Presidenti Steinmeier mbi stabilitetin e paqen në Ballkan nënkuptojnë të njëjtën vijë qëndrimi që ka mbajtur shteti evropian.

Njoftimi i plotë i Presidencës:
Sot në Berlin, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.T.Z. Frank-Walter Steinmeier.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen e madhe që Presidenti Steinmeier dhe Gjermania u kushtojnë marrëdhënieve me Shqipërinë dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke u ndalur te zhvillimet më të fundit në rajon, të dy Presidentët ndanë të njëjtin vlerësim se arritja e Marrëveshjes së Prespës është një shembull i suksesshëm që inkurajon edhe Kosovën edhe Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit dhe integrimit europian.
Nga ana e tij, Presidenti Steinmeier e siguroi Presidentin Meta se Gjermania do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm dhe mbështetës kryesore në proceset integruese për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit, me synim jo vetëm ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkan, por mbi të gjitha, për t’i ndihmuar ata në avancimin e reformave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, forcimin e shtetit ligjor dhe prosperitetin e popujve të rajonit.
Në fund të takimit, Presidenti Meta e ftoi Presidentin Steinmeier për një vizitë zyrtare në Shqipëri, që u mirëprit me kënaqësi.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



