E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Raporti negativ i DSIK, në rrezik drejtuesi i   Prokurorisë Fier
Lajme

Raporti negativ i DSIK, në rrezik drejtuesi i Prokurorisë Fier

Dyshime për korrupsion dhe probleme me pasurinë, ishin këto problemet me të cilat u përball drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Fatmir Lushi, dje në seancën dëgjimore në kuadër të procesit të vetingut.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte kryer një hetim vetëm në dy kritere të rivlerësimit, atë të pastërtisë së figurës dhe pasurisë, ku gjatë relatimit u listuan një sërë problemesh. Kështu, relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi, bëri të ditur se Komisioni kishte përfunduar hetimin në dy kritere për prokurorin Lushi, duke e ftuar atë në seancë të hapur për diskutimin e rezultatit të hetimit.

Në lidhje me pasurinë, Bekteshi u ndal në mosdeklarimin e burimeve të pasurive që Lushi kishte deklaruar gjatë viteve. Gjithashtu, prokurori u ngarkua me barrën e provës, edhe për mosdeklarimin e përdorimit të një banese trekatëshe në Sauk të Tiranës, që ishte në pronësi të dajës së tij.

Nga hetimi kishte rezultuar se, në emër të prokurorit për këtë pasuri ishte edhe një kontratë e OSHEE-së, të cilën e Lushi e justifikoi me faktin se ai nuk donte që banesës t’i shkëputej energjia elektrike, pasi daja refuzonte të paguante. Ndërkohë, në aspektin e aftësive profesionale, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte dorëzuar një raport me konstatimin se kryeprokurori i Fierit nuk ishte i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës, duke ngritur dyshime për favorizime të një të pandehuri.

Sipas relatores, pas leximit të raportit Komisioni kishte marrë dokumentacionin nga Gjykatat për disa dosje, të cilat i kishte shqyrtuar. Nga hetimi i kryer, relatorja Brunilda Bekteshi vuri në dukje se në çështje të hetuara nga prokurori në qytetin e Shkodrës, kishte dyshime se ka favorizuar një të akuzuar për plagosje me dashje. Relatorja shpjegoi më tej se qëndrimi i Lushit për dosjen kishte mbajtur qëndrime kontradiktore dhe se hetimi ishte i paplotë.

Ndërkohë, një rast tjetër i diskutuar nga KPK-ja dje gjatë seancës dëgjimore, ishte një dosje e hetuar nga prokurori në Elbasan, me objekt falsifikim parash. Për rastin, prokurori Lushi kishte mbyllur hetimet, ndërsa sipas KPK-së, një gjë të tillë nuk duhet ta kishte bërë pa kryer edhe disa veprime të tjera hetimore.

Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit mohoi pretendimet e Komisionit, duke kërkuar në fund konfirmimin në detyrë, ndërsa vendimi për të do të jepet gjatë ditës së sotme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.