Zgjedhjet e parakohshme, Kryemadhi: Vuçiç u tregua më i mençur se Rama me vendimin e tij. Deputetët e rinj të blerë!
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, thotë se kryeministri Edi Rama duhet të marrë shembull nga Presidenti serb, Vuçiç, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për të mos thelluar më tej krizën në Serbi.

“Vuçiç u tregua më i mençur se Edi Rama dhe më i shpejtë se ai, i shpalli zgjedhjet e parakohshme për të mos e thelluar më tej krizën. Besoj që edhe Partia Socialiste do të reagojë më shpejt, sepse çdo ditë që kalon e thellon më shumë krizën, dhe njëkohësisht rrit edhe më shumë mos përkrahjen e qeverisë së kapur nga një grup kriminal ndaj shqiptarëve”, tha Kryemadhi nga selia e LSI-së.
Kryemadhi tha gjithashtu që strukturat e partisë së saj po përgatiten për zgjedhje parlamentare.
“Shqipëria do të shkojë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme, duke iu dhënë shqiptarëve atë mangësi të munguar në 30 vite tranzicioni, pikërisht zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Kryemadhi.
Zonja Kryemadhi i konsideroi të blerë deputetët e rinj në Parlament.
“Në fakt ilegjitimiteti i Parlamentit tashmë për ne është bërë mëse normal, sepse këtu paradokset janë kthyer në normale. Por dua të them diçka, që nëse deputetët që hyjnë në Parlament me subvencion nga Partia Socialiste, duke eliminuar subvencionin për bujqësinë dhe për fermerët shqiptarë, duke kaluar paratë e fermerëve për të ulur TVSH-në e qumështit, për të ulur TVSH-në për prodhimet e tyre bujqësore dhe për t’i krijuar mundësi për infrastrukturë dhe donacion fermerëve, por donacionet e tyre kalojnë si donacione për deputetët e blerë. Për këtë Zoti e ruajttë Edi Ramën dhe ata që bashkëpunojnë me Edi Ramën.
Por nga ana tjetër unë do të thoja që nëse këta deputetë do të kthenin 400 mijë shqiptarët që kanë ikur nga kushtet e vështira dhe mungesën e kafshatës së bukës, nëse këta deputetë kanë hyrë në mënyrë kontrabandë në Parlament do të krijojnë mundësinë që të rrisin rrogat, të ulin çmimin e energjisë elektrike, të ulin taksat e shqiptarëve, kjo do të ishte një gjë shumë e mirë”, tha ajo.
Duke folur për protestën e nesërme, ajo deklaroi se do të jetë madhështore.
“Protesta e nesërme është vazhdimësi e protestave të shqiptarëve dhe protestat që do të vijnë çdo ditë e më shumë. Ka ardhur koha që politikanët ta kenë frikë popullin dhe jo popullin nga politikanët”,shtoi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



