Hidhet në erë Ujësjellësi, flet drejtori: Ishte 8 milionë lekë investim
DELVINE – Mbrëmjen e së mërkurës u hodh në erë me tritol depoja e Ujësjellësit në fshatin Kopaçez, Bashkia Delvinë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, ku një sasi tritoli është vendosur te tubi qendror, që bënte të mundur dërgimin e ujit në depo.
Ditën e enjte, Ujësjellësi i Delvinës pritej të lidhte ujin për furnizimin e lagjes “Badhër”. Dëmi, siç raportohet, është i konsiderueshëm. Policia po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të saj. Vani Toti, drejtor i Departamentit Teknik në Ujësjellësin e Delvinës, në një prononcim për “Panoramën” shprehet se bëhet fjalë për një investim prej 8 milionë lekësh të çuara dëm.

“Një sasi lëndë plasëse, që nuk e di se çfarë ishte, tritol apo diçka tjetër, ka shpërthyer. Lënda ishte e vendosur në themelet e jashtme në depon e ujësjellësit në fshatin Kopaçez dhe kish dëmtuar rreth 1.5-2 m themelin e depos, kish shkatërruar dy linjat, atë të transmetimit dhe atë të furnizimit të depos, ndërkohë që shkatërrimet nga shpërthimi janë bërë edhe në brendësi të depos. Depoja ishte gati për të hyrë në proces për të furnizuar lagjen ‘Badhër’ në fshatin Kopaçez.
Madje, për këtë është bërë një investim para pak kohësh dhe për ta vënë në funksion, Ndërmarrja e Ujësjellësit Delvinë, me një fond prej 8 milionë lekësh, bëri linjën e ujësjellësit dhe në momentin që do të vihej në punë, është bërë edhe ky shpërthim”, tha Toti. Drejtori i Departamentit Teknik në Ujësjellësin e Delvinës shton se investimi prekte rreth 40 familje, të cilat furnizoheshin për herë të parë me ujë. “Investimi fillestar, konkretisht për depon, është bërë nga ish-komuna e Vergoit.
Ndërkohë që investimi tjetër prej 8 milionë lekësh (të vjetër) është bërë nga Ndërmarrja e Ujësjellësit për shtrirjen e tubacioneve dhe instalimin deri në çdo banesë, për 40 familje të lagjes ‘Badhër’ në fshatin Kopaçez, lagje kjo që për herë të parë do të merrte ujë. Por jo vetëm kaq, para dy-tri ditësh është bërë edhe prova përfundimtare për funksionimin e depos në furnizimin me ujë të lagjes.
Sot do të bëhej kolaudimi i makinerive në depo dhe po sot do të vihej në funksionim. Pra, në të 40 familjet e lagjes ‘Badhër’ në Kopaçez do të shkonte uji”, përfundon Vani Toti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



