E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Grabitja/ Zyrtarë të Rinasit, në hetim për shpërdorim detyre
Lajme

Grabitja/ Zyrtarë të Rinasit, në hetim për shpërdorim detyre

Dy prej prokurorëve të Krimeve të Rënda, Klodian Braho dhe Arenc Çela, që po hetojnë grabitjen e ndodhur në aeroportin “Nënë Tereza”, shkuan paraditen e djeshme në zyrat e aeroportit.

Grabitja-Rinas-Ushtria

 

Organi i akuzës e ka regjistruar grabitjen e Rinasit me 4 vepra penale, “Vjedhje me armë të bankave ose arkave të kursimit”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Vrasje e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve e municioneve”, si dhe “Shpërdorim detyre”.

Vepra e fundit, sipas burimeve, është regjistruar për të vendosur para përgjegjësisë strukturat dhe zyrtarët përgjegjës të institucioneve që kishin përgjegjësi për të garantuar sigurinë në Aeroportin e Rinasit pa lënë jashtë verifikimit edhe tri bankat që u grabitën menjëherë pasi kishin dorëzuar në aeroport 6.5 milionë euro, që do të transportoheshin më pas nga Shqipëria drejt Vjenës.

Burime nga Prokuroria thanë se janë rihapur dosjet e pezulluara për Admir Muratajn, i dyshuar edhe për 3 grabitje të tjera, por që çështja nuk u gjykua ndaj tij, pasi ai rezultonte në kërkim ndërkombëtar.

Rihapja e dosjeve për grabitësin e vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, po kryhet për të verifikuar edhe një herë personat e tjerë që përmenden aty, disa prej të cilëve janë të paidentifikuar e disa të tjerë janë në kërkim.

Oficerët e Prokurorisë për Krimet e Rënda kanë sekuestruar të gjithë praktikën, që është ndjekur nga ky institucion në grabitjen e së martës në pistën e avionëve. Ndërsa Policia e Shtetit vazhdon të jetë në vendet e ngjarjes duke mbledhur prova të reja. Detyrat e prokurorëve që janë pjesë e hetimit janë të ndara.

Grupi hetimor përbëhet nga tre prokurorë, ku njëri prej tyre do të ketë detyrë hetimin e zyrtarëve të aeroportit apo institucioneve shtetërore, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën.

Ndërsa dy prokurorët e tjerë janë fokusuar te zbulimi i bashkëpunëtorëve të Admir Muratajt dhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, sidomos episodin e shkëmbimit të zjarrit mes grabitësve dhe Policisë, ku u ekzekutua edhe Murataj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.