E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjobitet “Tirana International Airport”, shkeli privatësinë
Lajme

Gjobitet “Tirana International Airport”, shkeli privatësinë

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka gjobitur me rreth 10 mijë dollarë amerikanë koncensionarin “Tirana International Airport” (TIA) për shkelje të parimeve të privatësisë.

Në një vendim, të nënshkruar në datë 4 Prill 2019, Komisioneri Besnik Dervishi ka konstatuar se “TIA” ka shkelur disa nene të ligjit “Për Mbrojtjen e të dhënave Personale”, në bazë të të cilave ka aplikuar masën administrative “gjobë” në vlerë 1.250.000 lekë të reja.

Komisioneri ka nisur procedurën e inspektimit, bazuar në ankesën e një punonjësi të ‘ICTS Albania”, kompani nënkontraktore e koncensionarit të Aeroportit, e ngarkuar me sigurinë.

TIA ka lidhur kontratë me ‘ICTS Albania” për të realizuar sigurinë e Aeroportit të Rinasit. Kontrata ndërmjet tyre ka rast përjashtimor përgatitjen e kartave ‘ID” të punonjësve të Sigurisë, të cilat realizohen drejtëpërdrejtë nga Koncensionari TIA.

Gjatë procedurave inspektuese, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka konstatuar se kompania TIA nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për ruajtjen dhe konfidencialitetin e të dhënave.

Në bazë të vendimit nr. 4, dt. 4.4.2019, Komisioneri ka renditur disa shkelje të koncensionarit të aeroportit, të cilat lidhen me përpunimin dhe administrimin e të dhënave personale.

LEXO EDHE  Nuk u botuan për 3 muaj në Fletoren Zyrtare, zbulohen shkeljet e Ramës dhe Cakajt për…

Sipas vendimit, kompania ‘TIA” nuk ka parashikuar rregulla mbi informimin e punonjësve lidhur me qëllimin e përpunimit të të dhënave, si edhe me mënyrën e përpunimit të tyre.

Gjithashtu, në kontratën e delegimit ndërmjet “TIA” dhe kompanisë së sigurisë “ICTS” nuk janë parashikuar detyrimet që kanë palët kontraktuese për të respektuar detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Në vijim, Komisioneri konstaton se koncensionari “Tirana International Airport” nuk ka hartuar një Rregullore të Brendshme për të normuar mënyrën e përpunimit, administrimi dhe ruajtjes së të dhënave personale.

Në bazë të verifikimit në vend, Komisioneri konstatoi se formularët me të dhënat personale të stafit mbaheshin në vende të papërshtatshme dhe në kushte që nuk siguronin konfidencialitet.

Pasi analizon të gjitha situatën, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendosi që të aplikojë gjoba për secilën prej shkeljeve të konstatuara gjatë procesit të verifikimit.

Në përfundim, institucioni përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale konkludoi se “Tirana International Airport” të gjobitet me vlerë monetare 1.250.000 lekë (rreth 10 mijë USD).

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.