Analiza/ “Nëse SHBA kanë diçka për opozitën të na e thonë, i thonë shko ne ‘shtratin’ e Ramës që t’i përdhunojë përsëri”

AGRON GJEKMARKAJ
E pamëshirshme në dukje përmes deklaratave ka qenë ambasada e SHBA-ve qysh nga djegia e mandateve, ndaj qëndrimeve dhe gjuhës së lidershipit opozitar! E në këso rastesh, fillon një festival i madh hipokrizie e propagande, e denjë për artikulimin tonë kulturor e politik të ditës! Togfjalëshat e tipit “ja Amerika foli”, “Amerika e vulosi”,” Amerika di një gjë”, “Opozita diku e ka shkelur”, “Ramën e do Amerika”, “ti je me Amerikën apo kundër saj?” i ndesh në shtyp, në ekran dhe në tavolinë. Në fakt, qoftë gjuha që përdori i dërguari Palmer, qoftë ajo e diplomatëve si Leyla Moses-Ones, me parimet e demokracisë amerikane është tejet korrekte! Precedenti i djegies së mandateve dhe sidomos bojkotimi i zgjedhjeve lokale janë shumë të rënda dhe bien si grusht në stomak për këdo. Logjikisht, kështu do të duhej të ishte në çdo vend me demokraci normale.
Kur u miratua Reforma në Drejtësi, u fol në media për biseda e mesazhe që ambasada u dërgoi deputetëve të caktua, në mënyrë që të siguronte votën e tyre pro, duke i futur mes kulaçit dhe kërbaçit! Perceptimi qe se po konsumohej një gjest amoral për një qëllim të mirë! Në fakt, do të kishte qenë shërbim i madh për pastrimin e politikes nëse ambasada i publikonte dosjet e tyre, sesa na la mbi kurriz deputetë e politikanë të shantazhueshem. Madje, edhe kësaj here, nëse do të kishte diçka për opozitën shqiptare që nuk e dimë, do të ishte shërbim i madh ndaj kësaj shoqërie dhe këtij kombi të na e thonë publikisht! Kësisoj, qartësohemi edhe ne që mendojmë se opozita po bën aktin e duhur. Megjithëse vështir të besohet se në këtë vend ka forca politike apo politikanë të rangut të lartë, që luftojnë kundër interesave amerikane!
Kur edhe Gramoz Ruçi sot e Fatmir Xhafaj dje janë bërë proamerikanë të thekur, kush dreqin ka mbetur tjetër në këtë vend pa ndryshuar bindje! Madje, Kryeministri e quante Trump-in turpi i civilizimit e sot të merr gjak në vetull për të, madje po i thahet gjuha teksa rend me lobues për ta takuar! Shqipëria ka një histori tragjike dhe paradoksale. Shumëkush është vrarë e persekutuar në këtë vend si “agjent” i amerikanëve pikërisht nga etërit jometaforikë, por biologjikë të këtyre tipave që drejtojnë mazhorancën e sotme, ndërsa shumë prej pasardhësve të të vrarëve akuzohen nga Gramozi me shokë si antiamerikanë! Nejse, djemtë dhe cucat e rilindjes moderne, teksa kruajnë mjekrat spic dhe nishanet nën gushë, mund të të akuzojnë për rënie në folklorizëm! Por ne që jetojmë këtu e dimë që ka mospërputhje të deklaratave me realitetin. Të rriturit po e po, e dinë që bota e krimit, paratë e trafikut, abuzimi me pushtetin dhe administratën ndikojnë fort në rezultatin e zgjedhjeve, por edhe fëmijët që politika s’i lë të rriten të qetë.
Tanimë ky fakt rri sa gjerë e gjatë në dosjet e Prokurorisë. Pushteti në gjashtë vite e ka dëshmuar qartë natyrën e vetë sunduese e tejet korruptive dhe joqeverisëse, duke mos humbur asnjë rast për ta delegjitimuar opozitën, e përdhunuar atë. Vitet e fundit duke asgjësuar Gjykatën kushtetuese, atë të Lartë dhe kapur sistemimin e drejtësisë, në mënyrë kapilare i ka hequr asaj edhe mundësinë formale për t’u ankuar! Ndërkombëtaret nuk kanë bërë asgjë ose shumë pak për të nxjerrë opozitën nga gjendja e fasadës. U bë ligji i dekriminalizimit, po kush i pengoi punëtoret e kanabisit t’u hynin zgjedhjeve qysh e tek jua lypte xhani? Ambasadat? Jo, jo, askush! Ligji kësaj ane ka vlerë vetëm në letër për sunduesit!
Ata nuk kanë qenë në gjendje të japin asnjë garanci. Sistemi i gjymtuar jo e jo dhe të gjitha këto e shtynë opozitën të dalë prej tij. Sistemi i kontrolluar nga një njeri, ai që do duhej të ishte struktura e demokracisë, po e vriste thelbin e saj duke asgjësuar garancitë dhe institucionet e animimit. Demokracia në Shqipëri ka nevojë të rithemelohet dhe jo t’i kërkohet opozitës të rikthehet në “shtratin” e Edi Ramës për ta përdhunuar përsëri. Nga ana tjetër, diplomatet i përsërisin pareshtur opozitës të tejkalojë vetveten, të harrojë pse i dogji mandatet dhe të hyjë në zgjedhjet lokale, megjithëse e dinë që Kryeministri po i pret me “kobure” në dorë për t’i “vrarë” përsëri! Pas këtij dimri të vështirë, ai e ka më të domosdoshme se kurrë një “fitore” të madhe. Mendoni me çfarë kose ne dorë do t’u ngjitej lëndinave të këtij vendi gjatë muajit qershor!
Ani i thonë Bashës, shko e “vdis” aty, po garanci nuk japin as edhe një! Nga ana tjetër, ata nëpërmjet presionit verbal po ndihmojnë Edi Ramën të gjejë paterica dhe të sajojë opozitë të re. “Opozita e re” sot nuk është asgjë tjetër vetëm një departament i Rilindjes! Parlamenti aktual është tragjikomedi! Te kjo përçapje shfaqet i mnershëm dhe i tmerrshëm vizioni që ka Kryeministri ynë dhe këshilluesit e tij për pluralizmin. Ndërsa tek ata që kërcënojnë se do t’i trajtojnë partitë e opozitës si banda, konturohet mundësia hipotetike për t’u ndeshur me të gjithë ata që nuk e pranojnë këtë vizion, domethënë me qytetarët! Egërsia, me të cilën arrestohen se janë mbështetës të opozitës, është fillimi i kësaj të vërtete që rrezikon të dalë jashtë kontrollit drejt një përplasjeje civile.
Me djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale, si rruga e vetme që i ka mbetur opozitës, Basha i ka hequr çdokujt mundësinë e lëvizjes antisistem duke e përvetësuar atë, po kaq i ka pamundësuar jetën politike çdo subjekti me karakter kinse opozitar! Me të mirat dhe të këqijat e veta, tani opozita reale gravon përreth aksit PD-LSI me aleatë. Ajo duhet të vazhdojë transformimin e brendshëm, të cilin e ka jetik pa rënë në kurthet e shumta që po i ngrihen ngamos! Dialektika politike e tri dekadave na mëson se pesha e pushtetit abuziv zë nën vete arkitektët e saj!
Kur garancitë nuk na i japin dot të huajt, tanimë të lodhur me ne për 30 vjet, është koha që ato t’i prodhojë vetë shoqëria, pikërisht ata “banditët” që duan t’i japin fund kësaj fasade korruptive!
Ndaj, një lutje e kemi për zonjën Leyla Moses –Ones; mos na kërkoni të pranojmë ato gjera që në Amerikë do të irritonin këdo, ato gjëra që do e çonin qytetarin tek interpretimi i asaj Kushtetute madhështore, e cila në emër të lumturisë u lejon atyre të ngrihen kundër qeverisë, teksa asnjëri prej nesh këtu nuk po kërkon lumturi, vetëm pak normalitet e vërtetësi, mundësi për të hedhur një votë që numërohet në kushte lirie! Ndaj, pasi dëgjon arsyet e qeverisë, mirë është të takosh edhe “banditët”, që tanimë qartazi janë më shumë se gjysma! “Banditë” të llojit të veçantë, që kërkojnë demokraci me garanci ligjore. Një sistem të ri politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



