“Rama nëpër qytete nga ajri me helikopter”, Vasili: Një ulje kushton 1 mln e 500 mijë lekë, i bëj thirrje…
Kreu i Grupit Parlamentarë të LSI-së, Petrit Vasili ka akuzuar kryeministrin Rama, se në vizitat e tij nëpër qytetet shqiptare, në kuadër të turit “Bashkia që duam”, ky i fundit shkon me helikopter.
Në një deklaratë për mediat, Vasili, ndërsa i bëri thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit që të kontrollojë këto shpenzime, tha se një ulje e Ramës në një qytet kushton 1 milion e 500 mijë lekë, të cilën e konvertoi në bukë për 2 mijë e 500 qytetarë të thjeshtë.

“Sot dhe në ditët që kanë paraprirë, kryeministri i marrë i vendit ka marrë udhët e Shqipërisë, gjoja për të folur me qytetarët. Ky nuk është më një kryeministër që flet me shqiptarët, por është vetëm demonstrimi i një pushtuesi që lëviz me karvanët e tij të ushtrisë policore për të pushuar qytetet shqiptare që ja kanë mbyllur derën dhe e kanë refuzuar. Sot kemi polici me armatim të rëndë ushtarak me kallashnikov, përballë qytetarëve të thjeshtë, pushtuesi përballë qytetarëve.
I bëj të qartë atyre që drejtojnë forcat e ndërhyrjes së thjeshtë, Ministrit të Brendshëm, që po monitorojnë shpërdorimin e qindra milion lekëve që po shpenzohen nga ky karvan. Ky Kryeministër, i trembur ulet nëpër qytetet shqiptare nga ajri me helikopter. Një vajte e Ramës kushton 1 milion e 500 mijë lekë, për qytetarinë e thjeshtë janë 2 mijë e 500 bukë. Bukën e 2 mijë e 500 familjeve e shpërdoron për vajtjen në një qytet të Shqipërisë. i bëj thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të kontrollojë batërdinë e shpenzimeve pa fund të karvanit të tij. Për të gjitha këto do të përgjigjen ligjërisht. Koha e tij ka mbaruar. Shqiptarët i kanë zbuar me neveri dhe me forcë pushtuesit e tyre”, tha Vasili.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



