E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Afeksioni i politikës shqiptare për të ‘fortët’
OP-ED

Afeksioni i politikës shqiptare për të ‘fortët’

RIGELS LENJA rigels-lenja

Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, me një program jo vetëm ambicioz, por pa diskutim ndër më të mirët që një parti politike ka përgatitur në Shqipëri në këto 3 dekada demokraci. Por, një program, i cili kush kishte sadopak njohuri rreth çështjeve ekonomike, e kuptonte që ishte i pamundur për t’u realizuar edhe për vende si Belgjika apo Zvicra. Edi Rama arriti ta mbante postin e kryetarit të PS-së në opozitë, falë marrëveshjes së vitit 2008. Një marrëveshje njësoj si ajo Ribbertrop-Molotov, Polonia e 1939- ës, demokracia shqiptare e 2009-ës e në vazhdim. Duke përdorur si patericë LSI-në, në vitin 2013 Edi Rama erdhi në pushtet dhe arriti të konfirmonte një mandat tjetër në 2017-ën, këtë herë pa ndihmën e LSI-së, po falë marrëveshjes së 18 majit 2017.

 

 

Realisht, çfarë ka ndodhur në këto gati 6 vite, në Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama? Edi Rama është pa diskutim një nga tri personazhet e politikës, me të cilin historia do merret gjatë për ndikimin që ai ka pasur në drejtimin e vendit në këto 3 dekada.

Veç të qeverisurit nëpërmjet show-it, si në “Facebook”, “Twitter” apo “Instagram”. Qeveria nën drejtimin e Ramës ka dhe një arritje tjetër. Për herë të parë, një Parlament i një vendi që kërkon t’i aderojë BE-së, miraton një ligj që synon të nxjerrë [jashtë politikës persona me të shkuar kriminale. Ky fenomen është familjar vetëm për Kolumbinë e Eskobarit të viteve 80′.

Praktikisht, Kodi Zgjedhor i vitit 2008 ua hiqte mundësinë të “fortëve” të hynin në Parlament apo pushtetet lokale, për arsye se kryetarët e partive, praktikisht i emëronin të zgjedhurit e tyre. Në fillim, nën targetin e opozitës u vunë deputetët që vinin kryesisht nga qarqet e Veriut. Justifikimet e Kryeministrit ishin të shumëllojshme. Në fillim u shpreh se këta i donte elektorati i tyre. Më pas shtoi që dikur nën qeverisjen e Berishës, disa prej tyre kishin mbajtur poste në nivele të ulëta të administratës. Këtu dalim te parimi: “Ata që paraardhësi i mbante si bisht kavalli, çfarë të keqe ka sikur unë t’i nxjerr në krye”. Ndërsa nuk ngurroi të thoshte për disa prej të zgjedhurve të tij, se ai nuk kishte informacion se çfarë ata kishin bërë kur kishin qenë 20 vjeç. Ky është një justifikim deri diku i pranueshëm për vende si India, ku çdo 4 vite zgjidhen më shumë se 500.000 drejtues në nivel lokal apo qendror. Dhe në gjysmë milioni mund të shpëtojnë disa, të cilët mund të kenë edhe një të shkuar të errët, por është e pamundur që në 75 deputetë dhe 61 kryetarë bashkie të ketë kaq shumë raste, që vijnë nga bota e krimit. Kjo ka dy shpjegime: ose është me miratim, ose është paaftësi e PS-së dhe kryetarit të saj për të gjetur kandidatët e duhur. Në të dyja rastet është i papranueshëm justifikimi.

Skandalet e qeverisë morën një stad tjetër me publikimet e gjermanes “Bild”, ku dëshmonte qartë jo vetëm afërsinë e disa prej drejtuesve të lartë të PS-së me grupe kriminale, por edhe fuqinë e këtyre të fundit. Madje, dukej sikur grupet kriminale ishin të punësuar part-time si konsulentë për çështjet zgjedhore. Blendi Çuçi i Reformës Zgjedhore, me sa duket kishte vetëm çelësat e kashtës, pasi ishin çunat problematikë, që duhet ta bënin atë reformë.

Rasti i Shkodrës nuk përbën as një çudi dhe as një risi. Mund të jetë i disati në listën e atyre, që Rama i detyruar i “përjashton” e ata “vetëdeklarohen” se nuk e duan mandatin. Por ky rast i fundit ka një veçanti. Deri më tani, një nga justifikimet në heshtje të qeverisë për afrimitetin me të fortët ka qenë se, në disa qarqe, kryesisht të Veriut, të njohura si bastione të së djathtës, PS-ja e ka të vështirë të mbrojë votën e lirë pa asistencën e çunave problematikë. Në zgjedhjet e 30 qershorit, PS-ja kandidonte e vetme, përballë kishte një parti fantazmë si Bindja Demokratike dhe matematikisht ishte fituese në një garë pa rivalë realë. Rama në zgjedhjet e 30 qershorit ishte në një garë “win to win”. Shkurtimisht, nuk e kishte të nevojshme ndihmën e kontigjentëve që mund të kenë një të shkuar jo të pastër, por përsëri nuk arriti dot edhe këtë herë ta prishte zakonin.

Në të vërtetë duhet pranuar që në disa komunitete të vendit, këto grupe të fortësh kanë mbështetje nga elektorati lokal. Kjo për disa arsye. Së pari, një pjesë e mirë e popullsisë e ka humbur besimin te programet politike, të cilat shpeshherë kanë premtime absurde. Së dyti, ky grup të fortësh është prezent gjithë kohën në zonat e tij. Ndryshe nga politikanët oratorë e me kostume, që zakonisht mezi duken një herë në 4 vjet. Ndër të tjera, si pasojë e burimeve financiare që shteti në këto 30 vite nuk i ka ngacmuar, ky kontingjent në disa qytete është kthyer në faktor punësimi. Pa harruar edhe mundësinë që kanë për të maksimalizuar votat me anë të fenomenit të shitblerjes së saj, kryesisht te shtresa e popullsisë në nevojë.

Çështja nuk është kur, ku apo sa vite ka qenë i dënuar ish-kandidati për Bashkinë e Shkodrës, as kush i hapi atij derën për në politikë. As pse Rama e lëshoi pa shumë rezistencë të zgjedhurin e tij për Shkodrën. Çështja është, edhe sa të tjera raste do të kemi si ky në fjalë, për të kuptuar që në politikë ka vend ose për politikanët, ose për të fortët? E ndër të tjera, a do të mbajë dikush përgjegjësi për këto raste, tashmë të përsëritura?

Rigels Lenja, studiues pranë Universitetit “Ludwig Maximilian”, Mynih.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.