Rinis Kuvendi, dekretet e Metës “rrëzohen” brenda shtatorit
Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do t’i rikthehen punës pas një pushimi 45-ditor. E hëna e parë e muajit shtator shënon edhe fillimin e sesionit të ri parlamentar për Kuvendin.
Konkretisht, ditën e hënë parashikohet që të bëhet seanca hapëse e punimeve të Kuvendit për sesionin e ri parlamentar. Kjo seancë do të jetë solemne, por maxhoranca nuk do të humb kohë për të vijuar axhendën e saj politike.
DEKRETET
Përpara zhvillimit të seancës së parë plenare, në Kryesinë e Kuvendit do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve e Kuvendit, e cila do të miratojë edhe programin e punës dhe kalendarin e punimeve 3-javore. Drafti paraprak i kalendarit të punimeve të Kuvend që e disponojnë deputetët parashikon rrëzimin e të gjitha dekreteve të Presidentit Meta brenda datës 19 shtator, pra në dy seancat e para parlamentare. Sipas këtij kalendari, seancat e para të Kuvendit, pas asaj solemne, do të jenë në 12 shtator dhe në 19 shtator ku janë parashikuar që të rrëzohen dekretet e Metës.
Kujtojmë që kreu i shteti përgjatë muajt korrik dhe gusht ktheu për rishqyrtim në Kuvend 9 ligje të miratuara nga maxhoranca. Më të nxehtat ishin dy koncesionet për ndërtimin e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, si edhe vetë ligji për Koncesionet. Që të tria këto nisma janë kundërshtuar publikisht nga kreu i shtetit, por edhe nga opozita. Maxhoranca, nga ana e saj, duket se do t’i marrë në shqyrtim sa më parë këto nisma ligjore. Por pritet për të parë nëse do të pranohen apo jo vërejtjet që ka bërë Presidenti Meta për këto nisma ligjore të miratuara në Parlament.
Kjo pritet të shënojë edhe një rindezje të motorëve të akuzave politike ndërmjet Maxhorancës-Opozitës-Presidencës. Përgjatë muajit gusht u duk sikur tonet politike ranë disi në qetësi, por për t’u rindezur që në ditët e para të vjeshtës. Dekretet e Metës për kthim dhe rishqyrtim ligjesh janë kundërshtuar publikisht nga maxhoranca, veprim ky që pritet të bëhet edhe ligjërisht, duke i rrëzuar të gjitha dekretet e Presidentit që kërkojnë ndryshime të ligjeve.
DATAT E DEKRETEVE
12 SHTATOR
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11225, date 15.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 36/2019 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.04.2008 “Për rezervat materiale të shtetit”
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11226, date 15.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 37/2019 “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, date 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015″
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11227, date 15.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 38/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore””
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11235, date 23.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 42/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar””
19 SHTATOR
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11248, date 05.08.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 44/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, date 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11251, date 05.08.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 50/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar””
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11254, date 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 51/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)””
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11255, date 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 52/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot -Balldren””
Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11256, date 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 53/2019 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



