Kuvendi zgjedh të hënën 2 anëtarët e Kushtetueses
Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla thotë se Kuvendi do të zgjedhë ditën e hënë dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke i kthyer kështu përgjigje Presidentit Meta, i cili kërkoi pezullim të procesit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj.
“Kuvendi do të zgjedhë dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese ditën e hënë, për të mundësuar që deri në fund të Janarit, Kuvendi të ketë zgjedhur edhe anëtarin e tretë të Gjykatës Kushtetuese, që i takon Kuvendit të Shqipërisë. Ky është një hap i rëndësishëm për të mundësuar që brenda pranverës, Gjykata Kushtetuese të jetë tërësisht funksionale.
Deklaratat Balla i bëri në takimin e Partisë Socialiste të Tiranës, ku tha gjithashtu se brenda Krishtlindjeve do të jetë gati paketa për Reformën Zgjedhore, me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“Ne do të përmbyllim brenda Krishtlindjeve paketën që ka të bëjë me të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR për Reformën Zgjedhore. Do t’ia kalojmë në Kuvend, për të qenë gati impelmentimi i tyre për zgjedhjet e Qershorit 2021”.
Balla komentoi edhe vendimin e Prokurorisë së Tiranës, e cila një ditë më parë mbylli hetimet në ngarkim të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në lidhje me kontratat e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Basha dhe dy zyrtarë të tjerë të selisë blu akuzohen nga Prokuroria për falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



