KE publikon kushtet e reja të zgjerimit në fillim të shkurtit
Publikimi i një metodologjie të re të Komisionit Evropian, e cila ka për qëllim të ndryshojë mënyrën e negociatave të anëtarësimit për vendet aspirante është shtyrë për t’u publikuar në muajin shkurt.
Komisioni është në proces të përfundimit të propozimit dhe ai do të paraqitet në javët e ardhshme,” tha zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero.
Botimi u njoftua jo zyrtarisht për më 29 janar, por sidoqoftë, projekt-propozimi nuk është përfunduar ende, dhe data tjetër e mundshme është 5 shkurt.
“Me metodologjinë e re, ne duam ta bëjmë procesin e zgjerimit më të besueshëm, që do të thotë se nëse njëra palë përmbush detyrimet e saj dhe pala tjetër duhet të bëjë pjesën e vet. Ne duam të kemi një proces që do të jetë i dobishëm për të gjitha palët – si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për institucionet e BE “,tha Ana Pisonero.
Komisioni Evropian këmbëngul që të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut paralelisht me rregullat e reja.
“Ju e dini që për ne është shumë e rëndësishme që paralelisht me dakordësimin e vendeve anëtare për metodologjinë e re të ndryshuar, ne i qëndrojmë rekomandimit tonë se negociatat e anëtarësimit duhen çelur edhe me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut. E kemi thënë shumë qartë që këto dy vende iu janë përgjigjur kërkesave që iu ishin drejtuar dhe koha është pjekur tashmë që edhe pala e BE-së të mbajë premtimin e dhënë,” shtoi zëdhënësja e KE.
Në mes të muajit shkurt Komisioni do të ndajë me vendet anëtare edhe një vlerësim mbi ecurinë e reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të fundit, me synimin për të arritur drejt një vendimi të Këshillit për dy vendet gjatë samitit evropian të marsit në Bruksel.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



