Ndahet nga jeta shkrimtari dhe publicisti Vasil Tabaku
Është ndarë nga jeta shkrimtari, publicisti dhe gazetari Vasil Tabaku. Lajmin e trishtë e japin kolegët e Vasil Tabakut, të cilët shkruajnë shkrimtari ka ndërruar jetë ditën e sotme.
Vasil Tabaku lindi në vitin 1953 në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi. Pas disa muajsh familja e tij do të transferohet në zonën e Mallakastrës, në qytetin e Ballshit, aty ku ai kaloi fëmijërinë dhe rininë. Arsimin tetëvjeçar dhe atë të mesëm e kreu në Ballsh.
Poeti, shkrimtari dhe publicisti Vasil Tabaku, krijimtarinë letrare–artistike e ka filluar që në bankat e shkollës tetëvjeçare, kurse botimet e para poetike i ka publikuar në vitet e shkollës së mesme, në organet e shtypit letrar të kohës.
Në vitin 1977 ka përfunduar Studimet e Larta, Fakulteti Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera, një vit më vonë ka dhënë provimet plotësuese dhe ka kryer edhe Fakultetin e Gazetarisë. Në vitin 1987 ka ndjekur për dy vjet Studimet e Larta pas Universitare në specializimin për skenarist i filmit artistik dhe ekranit televiziv, ku është diplomuar po ashtu me rezultate të larta. Në vitin 1995 ka kryer trajnim dymujor për gazetari televizive pranë TRT – Ankara, Turqi.
Edhe pse ishte student botoi librin e parë dhe dhjetëra cikle poetike në gazetat letrare të kohës si dhe shumë artikuj studimor dhe publicistikë. Në shtator të vitit 1977 filloi punën si mësues në fshatin Ninësh të Mallakastrës gjer në qershor të vitit 1978, kur u emërua drejtues në Pallatin e Kulturës në Ballsh.
Vasil Tabaku ka mbajtur dhe poste të tjera, si gazetar në gazetën ‘Drita’, skenarist i filmit artistik në Kinostudion ‘Shqipëria e Re’, gazetar RTSH e në radio, etj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



