E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SHTET PA BURRA SHTETI!
Publik News

SHTET PA BURRA SHTETI!

Ky shtet, nuk ka më burra shteti!

Një burrë shteti ka integritet, ka urtësi, ka moral, ka ndjenjë të lartë përgjegjësie!

Një burrë shteti e do realisht vendin dhe i respekton maksimalisht njerëzit e tij!

Këta që kemi mbi krye sot, i ka pjellë politika, e cila jo më kot ka atë nofkë që e dimë të gjithë.

Një burrë shteti, fillimisht bëhet burrë, rregullon punët e veta dhe të familjes, e më pas, në një moshë ku urtësia dominon mbi pasionet për qejfe, futet në politikë për të dhënë kontribut për shoqërinë. Kur zgjidhet, qëndron katër vjet. Nëse punon mirë dhe e rizgjedhin, qëndron edhe katër vite të tjerë. Më pas “hap krahun”. I lë vendin një tjetër burri.

Pushtetarët tanë aktualë, e kanë përdorur politikën për t’u bërë njerëz të rëndësishëm, e kanë përdorur për të vënë pasuri të mëdha në një kohë të shpejtë, por janë marrë me politikë pa qenë akoma burra!

Politika nuk të burrëron! Ti o pushtetar, nëse nuk je më parë burrë pastaj të merresh me politikë, ajo të degjeneron. Çeshtja është se ky degjenerim ndodh ditë për ditë dhe ti nuk e ndjen. Ty të duket vetja normal dhe të tjerët agresivë, inatçinj apo të sëmurë mendorë! Jo o zotëri jo! Je ti ai që je shmangur nga e drejta! Je ti ai që për të mbajtur postin tënd ke bërë skuthllëqe e pazare të cilat i quan politikë!

Pushtetarët tanë janë të tillë që ose nuk duan t’i shohin me sy, ose u shkojnë nga pas për të përfituar prej tyre!

Qytetarëv që nuk kanë interesa direkte nga politika, ata që punojnë nga mëngjesi në darkë, ata që jetojnë me një profesion, këta pushtetarë që kemi sot mbi krye, thjesht ua kanë shpifur! Përse duhet që ata të jenë në një post të lartë shtetëror dhe të mos shkulen prej aty derisa të vdesin?! Sepse ata pavarësisht se hiqen si kundërshtarë, i kanë bërë ligjet sipas interesit të tyre, ligje që u garantojnë sundim të përjetshëm. Pas zgjedhjeve, ata humbasin pushtet, por nuk humbasin privilegje dhe pasuri, thjesht kur janë në opozitë fitojnë me pak.

Unë nuk shoh një burrë shteti në krye të shtetit!

Unë nuk shoh një burrë shteti në krye të qeverisë!

Unë nuk shoh një burrë shteti në krye të opozitës!

Unë nuk shoh një burrë shteti në krye të parlamentit!

Sipas madhësisë së hallit që kanë, kur nuk u dalin pazaret, kur rrezikohen të zbythen apo të dalin nga skena politike, secili nga këta palo burra na fton nëpër protesta!

Duan që me gishtat tanë të nxjerrin gështenjat e veta!

Deri tani i kanë nxjerrë kollaj, por sa po vjen po bëhet më e vështirë, sepse njerëzit po i njohin deri në qelizat më fundore. Po i njohin dhe po i neverisin edhe ata që nuk kanë pasur sy të shohin e veshë të dëgjojnë! Të gjithë po kuptojnë se për këta që kemi në krye nuk ia vlen të bësh asnjë sakrificë! Të gjithë e kanë provuar që, sa herë i kanë ndjekur nga pas duke menduar se po bëjnë diçka të mirë për familjen e tyre, kanë mbetur të zhgënjyer!

Mua më bëhet zemra mal teksa shoh që shqiptarët mbushin sheshet e protestave. Çdo protestë është pozitive në vetvete, pavarësisht se nga kush thirret dhe kujt i drejtohet, sepse u trazon gjumin dhe u kujton se janë të vdekshëm edhe ata.

Unë do të dal në protestë, por t’ju them të drejtën pak zemërthyer.

Protesta në të cilën po pres të ndodhë e të dal me gjithë shpirt, është ajo kur ndonjë burrë i vërtetë shteti të ftojë shqiptarët për të shporrur të gjithë këta qelbësira që kemi mbi krye!/ newsbomb.al.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.