Partia Demokratike akuzon kandidatin për Gjykatën e Lartë, Sokol Sadushin se është “funksionari i lartë i drejtësisë” që është takuar me botuesin Henri Çili dhe i ka premtuar atij ndërhyrje për kërkesat e dy të dënuarve për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha.
PD thotë se Ardian Dvorani reagoi publikisht duke mohuar të jetë ai personi që është takuar me Çilin, dhe një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe Sokol Sadushi.
Sipas PD-së, emërimi i Sokol Sadushit në krye të Gjykatës së Lartë pritet të ndodhë në mars, “kohë në të cilën, sipas prokurorisë, drejtuesi i lartë i organit të drejtësisë do të kryente takimin e rradhës për favorin e paligjshëm”.
Reagimi i plotë i PD:
Ardian Dvorani deklaroi një ditë më parë se nuk është ai personi që prokuroria e identifikon në dosjen penale si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë, që ka premtuar favore të paligjshme për një dosje në Gjykatën e Lartë.
Në mungesë të zbulimit të emrit nga policia dhe prokuroria, që vazhdojnë të punojnë me dy standarde, Sokol Sadushi duhet t’i japë fund heshtjes dhe të japë shpjegime publike për pozicionin e tij.
Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë. Si kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i tij pritet të ndodhë në mars, kohë në të cilën, sipas prokurorisë, drejtuesi i lartë i organit të drejtësisë do të kryente takimin e rradhës për favorin e paligjshëm.
Është koha që Sokol Sadushi të flasë! Heshtja nuk e ndihmon dot gjatë!
Pjesë nga dosja e prokurorisë për takimin e Çilit me funksionarin e lartë të drejtësisë




