E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kryetarja e Komisionit të Medias denoncon në SPAK Skënder Gjinushin
Lajme

Kryetarja e Komisionit të Medias denoncon në SPAK Skënder Gjinushin

Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Medias, Fatjona Dhimitri ka denoncuar sot në SPAK, Skënder Gjinushin, për shkelje në krye të Akademisë së Shkencave.

Dhimitri bën të ditur se shkresat e Gjinushit të dërguara në Kuvend për organikën e Akademisë së  Shkencave dhe pagat e reja të këtij institucioni janë në shkelje të dyfishtë ligjore, pasi sipas saj ai është shkarkuar nga ky institucion.

“Struktura, organika dhe niveli i pagave të sjella për miratim në Kuvend  prej kryetarit të vetshpallur të Akademisë së Shkencave Z. Skënder Gjinushi, dëshmojnë dyfish paligjshmërinë e këtij dokumenti pasi ai jo vetëm mban firmën e  kryetarit te  paligjshëm të Akademisë,  por nga ana tjetër  ky i fundit zhytet edhe më thellë në sferën e abuzimeve përmes firmosjes së dokumentave me efekte financiare në dëm të buxhetit të shtetit.

Por si munden këta zotërinj që ulen në kolltukun e akademikut të mos respektojnë ligjin që aq shumë e propaganduan për të vënë kontrollin absolut mbi mendimin shkencor?! “, thekson Dhimitri

Më tej ajo i bën thirrje SPAK që të hetojë faktet e publikuara për abuzimet në Akademinë e Shkencave.

“I bëj thirrje organeve të drejtësisë dhe në veçanti  SPAK-ut të hetojë faktet e publikuara si dhe të iniciohet një procedurë  për atë çfarë  po fsheh Akademia e Shkencave.

Shqipëria ka nevojë të orientohet drejt novacioneve për të avancuar  në harmoni  me shtete të përparuara Europiane dhe të tilla nisma për të shpërdoruar  buxhetin e shtetit deri në babëzi nuk sjellin gjë tjetër veç varfëri dhe plakje të trurit’, thekson Dhimitri.

 

 

Letra e gjinushit per Kuvendin

Denoncimi i plotë i Kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Medias

Akademia Abuzive e Shkencave

Përpjekjeve të  Kryesisë së Akademisë së Shkencave  për të ligjëruar  strukturën,  organikën, nivelin e fryrë të pagave i pret hovin shkresa Nr. 5249/1 Prot, datë 19/03/2020 e Ministrisë së Financave Dhe Ekonomisë .  Kjo e fundit vërteton  atë çfarë unë vazhdimisht kam pohuar që nga  momenti i  marrjes së detyrës së Kryetares në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve për Informim Publik .

Më datë 12.02.2020 në  kërkesën për informacion të hollësishëm  ( shkresa me Nr. Prot 612, datë 12.02.2020)   drejtuar Kryesisë së Akademisë së Shkencave, ndër të tjera kërkoj :

  1. “ Ku e bazoni ju në ligj kërkesën tuaj për aprovimin e organigramës dhe personelit të Akademisë së Shkencave?
  2. Në cilin ligj bazoheni ju për aprovimin e pjesshëm të pagave të administratës të Akademisë së Shkencave?
  3. Përse Komisioni për Edukim dhe Mjetet e Informimit  Publik  duhet të marrë në shqyrtim  kërkesën e  Kryetarit të Akademisë së Shkencave  lidhur me miratimin e strukturës, organikës, nivelin e pagave të  Akademisë së  Shkencave  ndërkohë që  ne kemi aprovuar një buxhet akademie,  pra  së bashku  me buxhetin e shtetit  ka kaluar  edhe buxheti  që i alokohet kësaj  të fundit?”

Përfshirja e qëllimshme në paligjshmërinë  në të cilën është zhytur sot kjo Akademi, reflektohet edhe në përgjigjet aspak shteruese te Sekretarit Shkencor, Z. Shaban Sinani, referuar  shkresës me  Nr. 144/1 Prot , datë 17.02.2020,  “…Struktura, organika dhe niveli i pagave të propozuara është në përputhje të plotë me buxhetin e miratuar dhe nuk prodhon efekte financiare shtesë e më tej ……  pa pozicione punë të tepërta, me funksione dhe organikë të mirëpërcaktuar…”

Për sa më sipër, në shkresën  drejtuar  Kuvendit të Shqipërisë nuk ka një relacion mbështetës lidhur me shpenzimet që janë bërë dikur  prej Akademisë së Shkencave ashtu sikundër pretendohet, që struktura, organika, niveli i pagave nuk prodhojnë kosto shtesë në buxhetin e shtetit.

Struktura, organika dhe niveli i pagave të sjella për miratim në Kuvend  prej kryetarit të vetshpallur të Akademisë së Shkencave Z. Skënder Gjinushi, dëshmojnë dyfish paligjshmërinë e këtij dokumenti pasi ai jo vetëm mban firmën e  kryetarit te  paligjshëm të Akademisë,  por nga ana tjetër  ky i fundit zhytet edhe më thellë në sferën e abuzimeve përmes firmosjes së dokumentave me efekte financiare në dëm të buxhetit të shtetit.

  • Por si munden këta zotërinj që ulen në kolltukun e akademikut të mos respektojnë ligjin që aq shumë e propaganduan për të vënë kontrollin absolut mbi mendimin shkencor?!
  • Si mund të pohojnë që struktura, organika dhe niveli i pagave të propozuara nuk prodhojnë pozicione pune të tepërta kur  vetë kryesia e Akademisë shpërndan para për komisione vetëm për pjesëmarrje në mbledhje, madje edhe për njësitë e pambështetura në ligjin i cili u miratua në shkelje te Kushtetutës  përsa  i perket relacionit financiar?!
  • Ngrejnë institutet kërkimore paralele duke shpenzuar fondet e buxhetit të shtetit e si rrjedhojë taksat e qytetarëve shqiptarë.
  • Krijojnë një aparat të fryrë prej më tepër se tridhjetë nëpunësish.
  • Ende nuk tregojnë rendimentin financiar të objektivave për vitin 2020.
  • Vendosin praktikën e faljeve të botimeve duke krijuar mundësinë për korrupsion dhe abuzime.
  • Nuk kanë recencuar me recenca të jashtme planin e botimeve .
  • Funksionojnë pa koordinim me universitetet duke gllabëruar kompetenca në mënyrë ekskluzive.
  • Për të shkuar më tej me mendimet e marra hua të cilat i bëjnë fakte të kryera dhe i quajnë ato shkencore.

Si mund të heshtë politika dhe drejtësia shqiptare për atë çfarë po ndodh sot në Akademinë e Shkencave?

Në vendet perëndimore tempulli i shkencës prodhon ide shkencore përmes metodave shkencore , krejt e kundërta me atë çfarë  ndodh në Shqipëri, aty ku shkenca vihet në shërbim të udhëheqjes politike e transformohet në çerdhe abuzimesh për përfitime vetjake.

Ne fakt Akademia e Shkencave po tregon që nuk ka përparuar që nga koha e komunizmit e cila ishte në shërbim të diktaturës.

I bëj thirrje organeve të drejtësisë dhe në veçanti  SPAK-ut të hetojë faktet e publikuara si dhe të iniciohet një procedurë  për atë çfarë  po fsheh Akademia e Shkencave.

Shqipëria ka nevojë të orientohet drejt novacioneve për të avancuar  në harmoni  me shtete të përparuara Europiane dhe të tilla nisma për të shpërdoruar  buxhetin e shtetit deri në babëzi nuk sjellin gjë tjetër veç varfëri dhe plakje të trurit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.