Si degradoi në përplasje fizike konflikti. Ledio Lako goditi Gent Hazizin dhe kuzhinierit Elton Muftiu
Dy aktorët e njohur të humorit, Ledio Lako dhe Gentian Hazizi, u përfshinë në një konflikt fizik mesditën e së hënës në Tiranë, sa u desh ndërhyrja e Policisë për t’i ndarë. Policia e Tiranës, përmes një njoftimi zyrtar për sherrin e ndodhur mes dy aktorëve dhe mikut të njërit prej tyre, shef kuzhine, dha detaje lidhur me referimin që është bërë në Prokurori për ngjarjen. Ngjarja ka ndodhur të hënën, në bulevardin “Gjergj Fishta”, pranë një karburanti, për motive që ende nuk janë bërë zyrtarisht të qarta.
Në njoftimin e saj, Policia bën me dije se ka qenë aktori Ledio Lako ai që ka goditur me një përforcues grushti metalik aktorin Gentian Hazizi dhe mikun e këtij të fundit, Elton Myftiu. “Përforcuesi metalik, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë që dje (të hënën) u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, për shtetasin Ledio Lako, 40 vjeç”, njoftoi dje Policia. Në njoftim thuhet se referimi në Prokurori është bërë për veprat penale “Prodhim, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
MOTIVI
Shkaku i sherrit të bujshëm mes aktorëve të njohur të humorit shqiptar, Ledio Lako dhe Gentian Hazizi nis me disa komente në rrjetet sociale. Mësoht se sherri, ku nuk munguan dhe grushtet e mjetet e forta, nisi pasi dy aktorët ishin takuar për t’u sqaruar lidhur me disa keqkuptime krijuar nga disa komente në “Instagram”.
Në takimin sqarues ka qenë edhe shoku i Gentian Hazizit, Elton Myftiu, i cili dyshohet se është bërë dhe shkaku i përplasjes mes aktorëve. Kjo, për faktin se, teksa dy aktorët kanë qenë duke u sqaruar për keqkuptimet, Myftiu ka ndërhyrë dhe ka sharë Ledio Lakon.
Ky i fundit i është përgjigjur me grusht, ndërsa ka ndërhyrë menjëherë Genti për t’i ndarë, por në sherr e sipër Lako ka goditur edhe humoristin 47- vjeçar. Ngjarja ka ndodhur ditën e hënë, në bulevardin “Gjergj Fishta”, ndërsa sipas Policisë, aktori Ledio Lako ka goditur me përforcues grushti, metalik, shtetasit Gentian Hazizi dhe Elton Myftiu.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



