E infektuar me COVID , pati kontakte me afro 100 persona: I gjithë qyteti i Mitrovicës në ALARM
Dje në mbrëmje është konfirmuar rasti i parë me koronavirus në Mitrovicë. Ajo është një grua, e cila mendohet të ketë patur kontakt me 96 persona, nga ku 84 janë punëtorë të ETC-së.
Përmes një deklarate për shtyp, Komuna ka njoftuar se ata do të testohen nga IKSHPK-ja, dhe se janë rekomanduar për vetëizolim për dy javët e ardhshme.
“Fillimisht në këtë mbledhje u potencua se ekipet nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe ekipin komunal për menaxhimin e emergjencave, kanë evidentuar të gjitha rastet e kontaktit të të infektuarës, të cilët janë gjithsej 96 persona, 84 punëtorë të ETC-së, ndërsa të tjerë familjarë që do të testohen nga IKShPK-ja, dhe janë rekomanduar për vetizolim për dy javët e ardhshme”, thuhet në komunikatë.
Masat shtesë
1. Asnjë qytetari të mos i lejohet hyrja në supermarkete pa dorëza dhe maskë.
2. Të vendoset në hyrje një tavolinë për ekzaminimin e konsumatorëve me termometër digjital.
3. Të dezinfektohen në tërësi objektet në baza ditore dhe në prani të inspektorëve komunal.
4. Obligohen supermarketet të angazhojnë stafin e tyre për të bërë dezinfektimin e të gjitha shportave dhe karrocave për çdo përdorim.
5. Të jetë në hyrje të çdo supermarketi dezinfektuesi për duar, dhe në të gjitha hapësirat tjera.
6. Secili qytetar është i obliguar të njoftoj organet e rendit për hyrjen e qytetarëve nga komunat e karantinuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



