Drejtuesi i CRCA Albania Altin Hazizaj, është shprehur mbrëmjen e sotme se video e abuzimit seksual të 15 vjeçares në Kamëz është hedhur fillimisht në rrjetet sociale, pastaj është bërë denoncimi dhe ka nisur puna për identifikimin e abuzuesve.
“Në një rrjet social që unë s’dua t’ia them emrin është publikuar videoja. Në videon e publikuar kishte 1400 like dhe shumë burra dhe djem që bënin komente. Komentet ishin bëj dhe këtë, bëj dhe atë.
Kjo tregon që ne kemi një shoqëri maskiliste e cila nuk ka edukimin minimal mbi marrëdhëniet seksuale”, tha Hazizaj.
Hazizaj thotë se 15 vjeçarja e dhunuar seksualisht nga roja i shkollës në Kamëz dhe disa adoleshentë të tjerë, është marrë në mbrojtje menjëherë dhe fatmirësisht është mirë.
“Është marrë në mbrojtje nga sistemi i mbrojtjes së fëmijëve, alo 116 dhe sistemi i mbrojtjes i Kamzës. Vajza është shumë mirë dhe ka një karakter të fortë. Por dalja e babait dhe vëllait në media ka qenë e pashpjegueshme. Ne ju kemi shpjeguar që të mos të dilnin, por ata kanë dalë vetë”, tha Hazizaj në emisionin e Eni Vasilit.
Më tej, ai është shprehur se në dy muajt e fundit që Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) ka bashkëpunuar me Policinë, ajo ka qenë “fantastike”.
“Përsa i përket aspektit policor, babai thotë se ai ka bërë kallëzim para 6 muajsh. Por une se kam të konfirmuar. Ndërkohë për dy muajt ku ne kemi punuar ata kanë qenë vërtet perfekt. Kemi gjetur të gjithë autorët për dy javë. Në aspektin policor ka qenë fantastike (Policia)”, tha Altin Hazizaj, drejtues i CRCA Albania.



