Sipas shkencëtarëve, një virus tjetër i cili ka premisa për t’u kthyer në pandemi është identifikuar në Kinë. Ky virus është shfaqur së fundmi dhe mbartet nga derrat, por shkencëtarët thonë se mund të infektojë dhe njerëzit.
Studiuesit janë të shqetësuar pasi ai mund të pësojë ndryshime, dhe kështu mund të përhapet lehtësisht nga një person tek tjetri, e të shkaktojë pandemi globale.
Edhe pse nuk është një problem urgjent, ata thonë se i ka të gjitha shenjat për t’u bërë i rrezikshëm duke infektuar në masë, kështu që duhet mbajtur në monitorim të vazhdueshëm.
Duke qenë një virus i ri, njerëzit mund të kenë pak ose aspak imunitet ndaj tij, raporton BBC. Ky grip i ri është një kërcënim serioz thonë shkencëtarët, teksa ende nuk ka ikur virusi aktual.
Po të kujtojmë gripin e derrave në 2009, duhet thënë se ishte më pak vdekjeprurës se sa u mendua, pasi shumë njerëz kishin imunitet ndaj tij. Edhe ky i fundit, mendohet se është i ngjashëm me atë të 2009, por me disa ndryshime të vogla.



