E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si PS, miratoi e vetme Kodin Zgjedhor me mendësinë komuniste ..
Politikë

Si PS, miratoi e vetme Kodin Zgjedhor me mendësinë komuniste ..

Mes zhargonit komunist, pa opozitë dhe me deputetë që nuk kuptojnë amendamentet, PS-ja vendosi dje se si do të organizohen votimet e 25 prillit 2021.

Edhe pse zgjati për më shumë se 5 orë dhe ku opozita parlamentare nuk mori pjesë e gjitha në votimin nen për nen, Kodi i ri Zgjedhor si përshtatje e ndryshime kushtetuese të 30 korrikut do të jetë ashtu siç propozoi Partia Socialiste dje në draftin e përditësuar në disa pika me ato çka kishte kërkuar opozita parlamentare gjatë javës së shkuar.

 

Në fillim të mbledhjes së Komisionit, deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, prezantoi disa amendime në draftin që ai kishte paraqitur disa ditë më parë në Këshillin Politik. Amendimet e prezantuara në draftin e Gjiknurit kishin të bënin tërësisht me pikat të cilat kishin kontestuar deputetët e opozitës parlamentare, ndërsa ajo që kërkonte opozita e bashkuar jashtë Kuvendit për koalicionet parazgjedhore ishte e paprekur.

DEBATET
Ky propozim i Partisë Socialiste u duk sikur i gjeti të papërgatitur deputetët e opozitës parlamentare, të cilët në fillim kërkuan kohë për të parë me imtësi ndryshimet që shtroheshin. Më pas, ata dolën kundër, duke theksuar se as me këtë draft të amenduar PS-ja sërish nuk propozon hapjen e listave dhe dolën nga mbledhja e Komisionit. Rudina Hajdari, Ralf Gjoni dhe Andi Përmeti dolën nga mbledhja e më pas nuk pranuan që të kthehen, duke e konsideruar si një vendimmarrje të njëanshme të Partisë Socialiste këto ndryshime në Kodin Zgjedhor. E para që bëri thirrje për bojkot dhe braktisje të mbledhjes ishte deputetja Rudina Hajdari.

“Nëse nuk kemi të qartë se çfarë duan këta për listat e hapura, dhe nuk bien dakord për hapjen e listave 100%, unë u sugjeroj që të dalim nga mbledhja dhe të mos bëhemi pjesë e një farse. Sepse këta duan që ta çojnë të hënë në Kuvend këtë. Nëse do të rrimë këtu, bëhemi pjesë e kësaj farse”, deklaroi Hajdari.

Mendimit të Hajdarit iu bashkuan edhe deputetët e tjerë të opozitës parlamentare që u larguan nga sall. Por Myslim Murrizi, Alban Zeneli, Nimet Musaji dhe Edmond Stojku u rikthyen në mbledhje për të ndjekur miratimin e disa prej amendamenteve që iu ishin pranuar opozitës parlamentare, sa i përket pragut zgjedhor dhe mundësisë së kryetarit për të kandiduar në 4 qarqe të ndryshme.

Gjithsesi, deri në fund të mbledhjes, nga opozita parlamentare do të qëndronin vetëm Edmond Stojku dhe Nimet Musaji, pasi edhe Murrizi e Zeneli, të Grupit Parlamentar Demokrat, e braktisën atë para se të bëhej votimi në tërësi.

KËRKESA E ALKET HYSENIT

Këto debate dhe sjellje e opozitës tërhoqi vëmendjen e deputetit socialist Alekt Hyseni, i cili duke iu drejtuar kolegëve të tij me fjalën “shokë”, bëri thirrje që opozitës t’i tregohet vendi, nëse nuk pranon kompromise, ashtu siç sipas tij ka bërë PS-ja deri më tani. “Me këtë opozitën parlamentare, bëmë ne apo jo kompromis? Apo realizojnë ato që duan ata dhe ikin për ato që nuk duan? Pse ore, këto do të mbajmë ne tërë kohën? Ata ose i votojnë në bllok, ose nuk do t’ua pranojmë fare amendamentet.

Nuk mund të jetë kompromisi që ne të pranojmë çfarë duan ata, se ia pranuam PD-së gjëra që nuk mendonim se do t’i pranonim, i pranuam edhe atyre votën preferenciale, edhe që të kandidojë kryetari në 4 qarqe. Po ata çfarë pranuan nga ne? Të vijnë në rresht, ndryshe nuk duhet t’u pranojmë asgjë. Ta dijë mirë opinioni publik, që e vetmja forcë që po bën ligj për qytetarët jemi ne. Ne shqetësohemi që ky ligj të dalë i mirë, jo ai më i miri, se nuk e bëjmë dot për shkak të 5 qershorit, ose për shkak të kompromiseve, por ama parimet ne do t’i ruajmë dhe nuk i kapërcejmë, prandaj, shokë, unë iu ftoj që opozitës t’ia tregojmë vendin ku e ka.
Minoranca është minorancë: ose duhet të pranojë kompromiset, ose të rrijë në minorancë deri kur të bëhet maxhorancë pas 10-12 vitesh”, u shpreh ndër të tjera Alket Hyseni.

DEPUTETJA ELENA XHINA

Por mbledhja e gjatë e Komisionit të Ligjeve dje nuk shërbeu shumë që deputetja anëtare e këtij Komisioni, Elena Xhina, të sqarohej për draftin që propozoi PS-ja, por edhe për mënyrën si do të votojnë qytetarët për të përzgjedhur deputetët e ardhshëm. “Për mua personalisht shpërndarja e mandateve dhe kjo llogaritja është një problem shumë i vështirë dhe nuk arrij ta kuptoj.

Do doja të dija a garanton ky propozim i ri që çdo qytetar do të votojë kandidatin që do dhe votat e tij do të jenë të llogaritura në rirenditje, nga numri i parë tek i fundit? Pra e kam këtë për t’i qëndruar edhe ne asaj firmës që kemi dhënë për listat e hapura…

Se unë personalisht nuk arrij ta kuptoj, për shkak se edhe nuk jam eksperte e fushës”, u shpreh mes të tjerash deputetja Elan Xhina, duke kërkuar të dijë nëse çdo votë që do të jepet për kandidatët do të numërohet drejt dhe të ketë vlerë.

BASHKIM FINO SI “OPOZITAR”

Në kushtet kur nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve u largua një pjesë e opozitës parlamentare, kundërshti për pika të caktuara të draftit që u miratua shfaqi deputeti i PS-së, Bashkim Fino.

“Një pjesë e opozitës bëri deklarata dhe u largua, pasi bëri vërejtje për këtë nen që ne do të miratojmë. Mbase e kalojmë në parim, nuk jam kundër, sepse edhe unë jam në logjikën e zonjës Xhina, që duhet të kuptojmë drejt se si bëhet ndarja e mandateve. Në parim jam dakord, por deri të hënën mbase gjendet mundësia e gjuhës së përbashkët…”, tha Bashkim Fino.

NDRYSHIMET NË KODIN ZGJEDHOR NGA PS

ISHTE
Pragu minimal për ndarjen e mandateve për Kuvendin mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte elektorale) është 3% e votave të vlefshme në shkallë vendi.
BËHET
Ulje nga 3% në 1% të pragut që duhet të arrijnë subjektet zgjedhore për të përfituar nga shpërndarja e mandateve. Fjalia e dytë e pikës 1 të nenit 162 ndryshohet si vijon: “Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi”.
ISHTE
Renditja e kandidatëve që përfitojnë mandat ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër më të madh votash parapëlqyese se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

BËHET
Parashikohet që renditja e kandidatëve që përfitojnë mandat ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër më të madh votash parapëlqyese se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti sipas nenit 162 të këtij Kodi, por jo më shumë se 10,000 vota.

Rirenditje e pjesës së parë të listës që korrespondon me mandatet e fituara ashtu sikurse rirenditjen e pjesës së dytë të listës, bazuar mbi rezultatin e votave preferenciale. Konkretisht, pjesa e parë e listës që përkon me numrin e mandateve të fituara rirenditet sipas rezultatit të votave preferenciale, pa cenuar parimin e kuotave gjinore.

Kandidati me më pak vota preferenciale spostohet në vendin e fundit, brenda pjesës së parë të listës që korrespondon me mandatet fituese. Më pas kryhet rirenditja e pjesës së dytë të listës, bazuar mbi rezultatin e votave preferenciale. Nëse në pjesën e dytë të listës rezulton se një ose disa kandidatë kanë numër votash më të lartë se herësi, përfitojnë mandat duke zëvendësuar kandidatin/tët e fundit në renditje që do të përfitonin mandat sipas renditjes së pjesës së parë të listës, bazuar në votat që ka marrë secili prej tyre dhe kur ata kanë më pak vota preferenciale.

NEN I SHTUAR

Kryetari i partisë garuese në zgjedhje, kur ajo konkurron e vetme, ose partisë udhëheqëse të koalicionit kur garojnë disa parti së bashku në një listë, mund të regjistrohet njëkohësisht deri në katër zona zgjedhore. Në fazën e ndarjes së mandateve, lihet në vullnetin e tij/ saj që të deklarojë në cilën zonë zgjedhore do të marrë mandatin duke hequr dorë nga zonat e tjera.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.