E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Marc Bloch dhe metoda kritike e historisë
Publik News

Marc Bloch dhe metoda kritike e historisë

Historiani Marc Bloch do të lindte në Lion të Francës në 6 korrik 1886. Do të punonte në Universitetin e Strasburgut dhe më pas do të drejtonte Departamentin e Historisë Ekonomike në Universitetin e Parisit.

Në vitet ‘20 të shekullit XX u ndjeh gjithmonë e më shumë nevoja e ndërlidhjes së historisë me shkenca të tjera shoqërore si gjeografia, sociologjia, ekonomia, gjuhësia etj. Në këtë sfond historik në Strasburg do të lindte shkolla e quajtur e “Analeve” sipas emrit të revistës të themeluar nga Marc Bloch dhe ku ky i fundit do të ishte një nga përfaqësuesit më në zë të kësaj shkolle.

Sipas kësaj shkolle, historia duhet të jetë e hapur dhe humane, duke rënë në këtë mënyrë ndeshë me historinë e përqëndruar vetëm mbi ngjarjen diplomatike dhe politike. Bloch argumentoi se historia nuk duhet të merret vetëm me shpjegimin e thjeshtë të ngjarjeve të izoluara, por edhe të ngrejë teza shkencore dhe të përpiqet të shpalos argumente për ato. Gjithashtu sipas tij historia duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe botërore. Ai do të jepte kontribut kryesisht në historinë sociale dhe atë ekonomike. Periudha e tij e studimit do të ishte kryesisht Mesjeta, marrëdhëniet bujqësore, zhvillimi i teknologjisë apo çështjet e qarkullimit monetar. Në studimet e tij ai nuk do të fokusohej në historinë e elitave dhe “bëmave” të tyre, por te njerëzit e thjeshtë fshatarë, punëtorë, artizanë, të cilët më parë ishin konsideruar vetëm dëshmitarë të historisë po ndonjë rol madhor.                                                      

Ndër veprat e tij më të njohura mundë të përmendim: “Historia agrare e Francës” 1931, “Shoqëria feudale” (dy vëllime) 1939. Vepra më e rëndësishme tek e cila ai do të skaliste metodologjinë e re historike duke e shndërruar si një gurë themeli për historianët dhe historiografinë e së ardhmes, do të ishte: “Mjeshtëria e Historianit.” Në këtë vepër, Bloch pohon se doktrina e hulumtimeve për të vërtetuar në mënyrë kritike nëse një dëshmi historike është e vërtetë apo jo do të përpunohej vetëm gjatë shekullit të XVII. Ndër veprat pionere që përgjatë këtij shekulli, sipas Bloch-ut do të shërbente si themeluese e kritikës së zbatuar në historiografi do të ishte traktatit teologjiko-politik i Spinozës. Ajo do të cilësohej kryevepër e pastër e kritikës psikologjike dhe historike. Në shekullin XVIII, Bloch vë re një fenomen të veçantë. Midis subjekteve që propozoheshin më shpesh nga Universiteti i Parisit në konkurset e pranimit në degën e filozofisë, shihet të jetë dhe ai që sjell një tingull çuditërisht modern: “Mbi dëshminë e njerëzve rreth fakteve historike.” Të vërtetën historike në këtë vepër, Bloch-u e shikon të pandashme nga personaliteti i atij që e kërkon këtë të vërtetë, pra historianit. “Mbi të gjitha -argumenton ai – nevoja për kritikë nuk ka arritur ende të pushtojë plotësisht atë opinion të njerëzve të ndershëm, miratimi i të cilëve, pa dyshim i nevojshëm për higjenën morale të çdo shkence,është i domosdoshëm veçanërisht për shkencën tonë, në qoftë se njerëzit nuk na kuptojnë. Një pohim ka të drejtë të bëhet vetëm me kusht që të mund të vërtetohet; dhe, për një historian, nëse ai përdor një dokument duke treguar sa më shkurt të jetë e mundur prejardhjen e tij, pra mënyrën për ta rigjetur, kjo thjesht do të thotë ti nënshtrohesh një rregulli universal të ndershmërisë.”            

Historiani sipas Bloch është kthyer si një njeri që nuk beson lehtë. Ai e di se dëshmitë historike të përzgjedhura mund të gabohen ose të gënjejnë. Por, para së gjithash, ai përpiqet t’i bëjë ato të flasin, për t’i kuptuar.

Diktatura naziste në Gjermaninë e Luftës së Dytë botërore do të persekutonte një numër të madh intelektualësh jo vetëm për shkaqe politike por edhe thjesht sepse i përkisnin rracave tëkonsideruara inferiore. Marc Bloch do të lindte në një familje hebreje, ai do të bëhej pjesë e rezistencës antinaziste në Francën e Vishisë. Një milici ushtarake e krijuar në Francën e Vishisë për të kundërshtuar përpjekjet e rezistencës arriti që të zinte rob edhe March Bloch-un. Në 19 qershor 1944, gjatë kohës që aleatët pushtuan Francën, gjermanët të etur për të “likuiduar pronat e tyre” do të ekzekutonin ndër të tjerë dhe March Bloch-un. Kontributi në shkencën e historisë dhe vdekja e tij si pjesëmarrës i rezistencës franceze, do ta bënin March Bloch-un, jo vetëm një figurë të spikatur në mesin e historianëve të pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe si një ndër historianët më të mëdhenjë të të gjitha kohërave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.