“Vettingu” në Polici/ Presidenti Meta kthen për rishqyrtim ligjin: Kuvendi i Shqipërisë është kthyer realisht në një noter të qeverisë
kPresidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, i njohur ndryshe si “Vettingu” në Polici.

Kreu i shtetit thekson se ligji është propozuar, prezantuar dhe shqyrtuar në kushte kur vullneti i organit ligjvënës provohet se ka qenë fiktiv dhe i paracaktuar/diktuar nga qeveria, duke shkelur kështu parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë.
Në arsyetimin e tij kreu i shtetit thekson se: “Eshtë e pakuptimtë dhe e papranueshme se si mund të prezantohet një projektligj që është nismë e deputetëve, nga përfaqësuesit e qeverisë. Mjafton ky fakt për të provuar edhe një herë se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit”.
Po ashtu Meta shton se: “Kuvendi i Shqipërisë është kthyer realisht në një noter të qeverisë, që njehson vullnetin e kësaj të fundit dhe ku parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve i parashikuar në nenin 7 të Kushtetutës, jo vetëm që nuk ekziston midis ekzekutivit dhe parlamentit, por këto dy organe në veprimtarinë e tyre kanë humbur seriozitetin për t`u kujdesur, qoftë dhe në dukje, për respektimin e këtij parimi”.
Një nga problemet kryesore që sërish evidentohet edhe në këtë ligj është pikërisht situata e pasigurisë juridike që shkakton për subjektet e vlerësimit kalimtar.
D E K R E T
PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 30/2021 “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 12/2018 “PËR VLERËSIMIN KALIMTAR DHE PERIODIK TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, GARDËS SË REPUBLIKËS DHE SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT NË MINISTRINË E BRENDSHME, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j:
Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 30/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, të ndryshuar”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Nr. Dekretit 12 055
Tiranë, më 26.03.2021
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



