SPAK nuk ka gjetur prova, tërhiqet nga arresti me burg, por GJKKO nuk e liron babain e Arbër Çekajt
Babai i Arbër Çekajt, Selim Çekaj do të vazhdojë të qëndrojë në burg.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur këtë të shtunë masën e sigurisë “arrest me burg”, pavarësisht se Prokuroria e Posaçme, SPAK u tërhoq nga kjo masë sigurie dhe kërkoi arrest shtëpie për 72-vjeçarin.
Siç raporton gazetarja Klodiana Lala, sipas prokurorit të SPAK, zbutja e masës së arrestit është e arsyetuar nga të dhënat e deritanishme që nuk kanë rezultuar prova te qenesishme kundra Selim Çekajt, si i përfshirë në çështjet e trafikut të drogës.
Një tjetër arsye, pse SPAK kërkoi zbutjen e masës së sigurisë është edhe mosha e thyer e Çekajt, por edhe fakti se i hetuari po mbahet prej javësh në qendrën spitalore të burgut, për shkak të problemeve të theksuara shëndetësore, tha Lala. Edhe ditën e sotme, ai nuk ishte i pranishëm në seancë, por përfaqësohej nga avokati Maksim Haxhiaj.
Por i revoltuar me vendimin e GJKKO është shprehur për mediat avokati Maks Haxhiaj.
Ai akuzoi gjykatën se po shkel sipas tij me të dyja këmbët ligjin.
“Është shumë interesant që prokurori tha para gjykatës se nuk ka prova që Selim Çekaj të jetë i implikuar. Kjo është një masë ekstreme, pasi është mbi 70 vjeç dhe është i sëmurë. Janë argumente të avancuara për të ndryshuar masën e arrestit.
Gjykata me papërgjegjshmëri, shkel ligjin me të dyja këmbët. Shkelje tjetër është se nuk ka ardhur në seancë as Selimi, pasi kur shqyrtohet masa, duhet të jetë i hetuari.
Ai është me diabet 700, që i ka nxjerrë jashtë funksionit veshkat. Qesharake është edhe që po hetohet për grup të strukturuar kriminal, kur është vetëm një person”, tha avokati Haxhiaj.
ARRESTIMI
Selim Çekaj përfundoi në prangat e Policisë në momentin kur lënda narkotike u zbulua në kontejnerin me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të kompanisë së krijuar prej tij. E njëjtë metodë trafiku e lëndës narkotike ishte zbuluar më herët ku përfundoi në prangat Arbër Çekaj, djali i 72-vjeçarit. “Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera se në një kontejner fshi- hej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘MERSIN’.
Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontejnerë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S. Ç., të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikeve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi S. Ç., banues në Sauk, Tiranë”, sqaronte Policia e Shtetit më datë 1 prill të këtij viti.
Kontejneri me banane ishte nisur nga porti i Guayaquil, një nga portet kryesore të Ekuadorit nga ku nis trafiku ndërkombëtar i kokainës për në Evropë. I përfshirë në “rrethin” e kontejnerëve me risk që në nisje, ngarkesa me banane iu nënshtrua kontrollit me skaner, brenda së cilës u konstatua jo vetëm ngarkesa e ligjshme, por edhe lënda narkotike. Gjatë kontrollove të shumta përreth dy orë mesditën e 31 marsit, hetuesit ar- ritën të zbulonin drogën në kontejnerin që ishte nisur për llogari të kompanisë së Selim Çekaj, i cili ka mohuar në vijimësi që të jetë ai porositësi i sasisë së konsiderueshme të lëndës narkotike.
Madje, gjatë kontrollit, ai ka kërkuar që kontejneri të hapej në magazinat e kompanisë së tij, duke pretenduar se kishte porositur vetëm banane dhe kjo bëri që autoritetet ta hapnin atë në port pas skanimit që e kishte nxjerrë me “pullë të kuqe”. I moshuari kërkoi nga autoritetet që të gjenin se kush ishin porositësit e drogës, pasi siç ka deklaruar ai, ishte vetëm tregtar frutash. Pavarësisht mos pranimit të akuzës, autoritetet e arrestuan atë, ndërsa Gjykata e Lartë me vendimin e saj ka “vulosur” vendimet e marra nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit.
Kontejneri ishte nisur nga Ekuadori me ngarkesën më datë 21 shkurt të këtij viti, duke ndaluar më 9 mars në Marok. Pasi ka ndaluar transit në portin e qytetit të Mersinit në Turqi, nga ku edhe mori emrin operacioni, anija e mallrave ka lundruar drejt portit të Pireut në Greqi dhe më 28 mars ka mbërritur në portin e Durrësit dhe dy ditë më vonë është zbuluar sasia prej 49 kg kokainë.
HAPJA E KOMPANISË DHE DËNIMI I TË BIRIT
Selim Çekaj kishte hapur një kompani të re për importin e bananeve nga Ekuadori rreth një muaj pasi ishte arrestuar i biri, Arbër Çekaj për 613 kg kokainë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Shqipëri. Sipas ekstrakteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania “Ecoalmax” ish-te regjistruar më datë 20 mars 2018, ndërsa më 28 shkurt të po atij viti ishte sekuestruar ngarkesa me kokainë me vlerën 180 milionë euro.
Ngarkesa ishte nisur për llogari të kompanisë “Arbri Garden”. Pak ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendi- min për dënimin me 14 vite burg të Arbër Çekajt, ndërkohë, që me 10.8 vite burg u dënua Donaldo Lushaj, administrator i kompanisë së bananeve që drejtonte Çekaj si dhe me 8.8 vite burg shoferi Armando Pezaku. Tre të akuzuarit u arrestuan në kuadër të operacionit “Dëbora e Fundit”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



