U vra për 3 mijë euro, zbardhet konflikti midis Xhuljano Bullarit dhe ekzekutorit!
Pas arrestimit të 39- vjeçarit, Bledar Selmanaj, i akuzuar nga Policia e Shtetit ai autor i ekzekutimit të Xhuljano Bullarit, të tjera detaje kanë dalë në dritë rreth së shkuarës së viktimës dhe vrasësit së tij. Ndërkohë që Selmanaj ishte dënuar me burg për vjedhje dhe ishte liruar në korrik të këtij viti, Bullari ishte dënuar për trafikimin e emigrantëve. Si viktima, ashtu edhe autori, e kanë ruajtur miqësinë edhe pas burgut, por kësaj here për punë të tjera të paligjshme.
PAZARET E DROGËS
Megjithëse Bledar Selmanaj mohon të jetë autori i vrasjes së Bullarit, Policia jo vetëm e implikon atë me prova filmike dhe telefonike, por siç thonë burimet, tanimë dihet edhe shkaku. Sipas burimeve nga Policia e Vlorës që po merret me hetimin e rastit, mësohet se shkak është bërë konflikti midis tyre për pagesat rreth një sasie prej 100 kg lëndë narkotike kanabis sativa. Siç thonë burimet, 25-vjeçari dhe persona të njohur me të, kishin kryer pagesat me euro false. Shitja e sasisë së drogës ishte kryer në zonën e Elbasanit dhe blerësi kishte paguar me para false. Për këtë qëllim, Bullarit i kërkohej kthimi i pagesës i cilësuar si borxh. Bëhet fjalë për një shumë prej 3 mijë eurosh, për të cilën Selmanaj kishte kërkuar kthimin me ngulm, pasi duhej t’iu jepet kultivuesve të kanabisit në zonën e Vlorës. Nga ana e tij, Xhuljano ka refuzuar vazhdimisht kthimin e parave. Ky ka qenë momenti që miqësia e nisur në qelitë e burgut të merrte një tjetër rrjedhë dhe të përfundonte në vrasje.
ALIBIA
Ndërsa gjatë ditës së sotme, Selmanaj do të njihet me masën e sigurisë nga Gjykata e Vlorës nën akuzën e “Vrasjes me paramendim”, ai ka mohuar që të jetë autori i krimit. Ai ka deklaruar se ka udhëtuar me 25-vjeçarin deri afër fshatit Babicë dhe më pas është larguar, duke u ndarë me të. Ai ka deklaruar se edhe arma e zjarrit e llojit pistoletë dhe rrobat e gjetura nga Policia, nuk janë të tijat. Megjithatë sipas Policisë, provat e gjetura dhe arma e groposur e implikojnë direkt në vrasje 39-vjeçarin. Policia sqaroi zyrtarisht se pistoleta, që 39-vjeçari e groposi pranë shtëpisë së tij në Vlorë menjëherë pas ngjarjes së rëndë, është arma që ka përdorur për të kryer vrasjen, ndërsa me vete mbante edhe një pistoletë të dytë.
“JAM BIZNESMEN”
Bledar Selmanaj kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, pikërisht më 5 korrik të këtij viti, pasi u arrestua në vitin 2012 për një sërë grabitjesh të kryera në Vlorë, Fier dhe në Tiranë. Një ditë pas vrasjes, në profilin e tij në “Facebook” kishte shkruar se ishte “biznesmen”, që me sa duket e lidhte me shitjen e lëndëve narkotike.
VRASJA
Pazaret e prishura për çështjen e lëndëve narkotike i kanë kushtuar jetën 25- vjeçarit, Xhuljano Bullari, i cili po bëhej gati për të shkuar në Gjermani për të punuar. Mbrëmjen e 21 gushtit, ai u takua me 39- vjeçarin Bledar Selmanaj, ku kanë udhëtuar së bashku drejt Vlorës deri në vendin e njohur nga banorët si “Lapidari” në fshatin Babicë, ku Bullari është qëlluar me dy plumba në pjesën e kokës, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Krimi u zbulua të nesërmen në mëngjes nga kalimtarë të rastit, të cilët lajmëruan Policinë. Ka qenë nëna e viktimës ajo që identifikoi të birin në morgun e Spitalit të Vlorës po atë ditë. Pesë pas vrasjes, Policia arrestoi në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, si autor të dyshuar të krimit, shtetasin Bledar Selmanaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



