Katër ministre nga gjimnazi “Sami Frashëri”
Gjimnazistet e “Sami Frashërit” lKatër ministre, Delina Ibrahimi, Ogerta Manastirliu, Elva Margariti dhe Frida Krifca janë diplomuar në gjimnazin elitar, i cili u shemb pas dëmtimeve të tërmetit nga një tjetër ish-nxënës i tij, Erion Veliaj.
OGERTA MANASTIRLIU
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mban titullin “Doktor i Shkencave”, në Kimi Analitike dhe Mjedis. Më herët, ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Kimi e Përgjithshme, ku është diplomuar dhe ka marre titullin “Master në Shkencë”, në po të njëjtën degë. Prej vitit 2009, është angazhuar si pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

DELINA IBRAHIMAJ
Delina Ibrahimaj, ministrja e Financave, është diplomuar për Ekonomi Ndërkombëtare në Universitetin Boçoni të Milanos, ku më pas ka përmbyllur me sukses edhe Masterin Shkencor për Menaxhim. Në vitin 2015 ka mbrojtur Doktoraturën për Menaxhim të Bankave dhe Financave në Universitetin e Romës, Tor Vergata.

FRIDA KRIFCA
Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ka diplomë në Administrim Biznes në vitin 2000, ndërsa ka mbaruar Master në Universitetin Akron, SHBA në Administrim-Biznes, me bursë Fulbright nga Departamenti i Shtetit. Në vitet 2011-2012 ka kryer Harvard Business School Publishing, Pireus Bank Group Academy.

ELVA MARGARITI
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përfundoi në 2008 studimet universitare (Master Shkencor) për Arkitekturë në Universitetin e Firences, Itali, në fushën e projektimit, rikualifikimit e rijetëzimit të hapësirave të ndërtuara dhe bio-arkitekturës. Në vitin akademik 2004-2005, eksperiencat e saj studimore në fushën e projektimit, sipas principeve të bio-arkitekturës, u thelluan në Finlandë, në Tampere University of Technology. Në vitin e mëvonshëm 2006, u pasuruan në fushën e rijetëzimit të trashëgimisë kulturore nëpërmjet ruajtjes së teknikave tradicionale, në Tongji University of Technology të Shangait.

ELISA SPIROPALI
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, është diplomuar në 2005 me dy tituj nderi në dy degë universitare: BA ekonomi (Economics) dhe BA Politikë (Politic) në “Mount Holyoke College”, SHBA. Në vitin 2007 fiton bursën “Chevening/ OSI” për studime parauniversitare në Politikë Ekonomike Europiane në Universitetin “Sussex” në Britaninë e Madhe.

MILVA EKONOMI
Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, është diplomuar për Statistikë dhe Ekonomi në Universitetin Bujqësor të Kamzës, Fakulteti Ekonomik, ndërsa ka mbrojtur Master në Administrim Biznesi në Universitetin e Tiranës.

EDONA BILALI
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, është diplomuar në vitin 2006 në Ekonomi dhe AdministrimBiznes në Universitetin e Vjenës.

BORA MUZHAQI
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, u diplomua në degën e Ekonomisë në London School of Economics and Political Science, në Londër, e më pas vijoi studimet në nivelin Master, gjithashtu në Londër, pranë HULT International Business School, në fushën e Biznesit Ndërkombëtar. Znj. Muzhaqi mban titullin ACCA, pasi kaloi me sukses shkallët e kualifikimit për të fituar të drejtën e Auditueses Ligjore në Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht, ajo është Audituese Ligjore e certifikuar edhe në Republikën e Shqipërisë.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



