Pikërisht ky moment ka sjellë reagimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri tashmë nën hetim për trafikim kanabisi në formën e grupit të struktuaruar kriminal, i cili i është drejtuar ish-kreut të SHISH me fjalët: Ju po luani lojë politike. “Për gjithçka thatë në këtë mbledhje nuk keni sjellë asnjë informacion në Ministrinë e Brendshme”, mësohet t’i jetë drejtuar Tahiri ish-kreut të SHISH. Menjëherë i është përgjigjur Ajazi i cili duke ju drejtuar Tahirit ka thënë: “Nuk mund të sjellë informacione në Ministrinë e Brendshme, pasi zyrtarë të ndryshëm të ministrisë tuaj mund të dekonspirojnë informacionin.” Ish-ministri i Brendshëm ka reaguar sërish por me tone të larta, duke bërë që Presidenti i Republikës të ndërhyjë për të qetësuar situatën.
Por ky moment nuk e ka qetësuar aspak situatën, pasi ish-ministri i Brendshëm, sërish me tone të larta i është drejtuar Presidentit të Republikës me fjalët: “Ju po luani lojën e Sali Berishës. Situata që paraqiti kreu i SHISH, nuk është aspak e tillë.” Por Presidenti i ka kërkuar sërish të qetësohet, ndërsa në debat ka ndërhyrë dhe ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila i është kundërvënë Presidentit të Republikes.



