A do të bashkëpunojë Basha me Ramën?
Ndryshimet kushtetuese për Vetingun, te Kodi Zgjedhor e presidenti i ri, janë reformat që kërkojnë dakordësi me opozitën.
Maxhoranca socialiste kërkon të nisë menjëherë punën për realizmin e ndryshimeve kushtetuese me qëllim zgjatjen e mandatit të institucioneve të reja të drejtësisë.

Institucioneve që kryejnë rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve u përfundon mandati në qershorin e vitit 2022, kohë që është cilësuar e pamjaftueshme për të përfunduar procesin e vetingut. Për të arritur deri te ndryshimet kushtetuese, socialistëve u duhet me patjetër të bashkëpunojnë me opozitën për të përmbushur një nga kriteret e Reformës në Drejtësi.
Maxhoranca ka 74 vota, ndërsa 3 mund t’i sigurojë nga PSD-ja, por për një gjë të tillë nevojiten 94 vota, duke e bërë bashkëpunimin e qeverisë me opozitën të pashmangshëm. Ndryshimet kushtetuese ishin një nga temat e diskutuara në mbledhjen e Kryesisë së Grupit të PS-së në selinë e socialistëve, e cila është e para pas betimit në Presidencë të qeverisë “Rama 3”.
Kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, iu ka kërkuar socialistëve të nisin menjëherë punën për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e procesit të vetingut. “Të fillojë puna për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e procesit të vetingut”, ka thënë Taulant Balla në mbledhjen me dyer të mbyllura. Sipas ministrit të ri të Drejtësisë, Ulsi Manja, ideja e shumicës është që mandati të zgjatet deri në përfundim të të gjithë procesit të rivlerësimit. Angazhimi politik i PS-së për të çuar deri në fund procesin e vetingut përmes këtyre ndryshimeve është vetëm fillimi i një bashkëpunimi maxhorancë-opozitë në Parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Deri tani, sipas të dhënave të publikuara 5 vite nga nisja e Reformës në Drejtësi, procesi i vetingut ka arritur në gjysmën e tij. Në 5 vite, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë në total 421 vendime për gjyqtarë dhe prokurorë. Largimi i tyre nga sistemi i drejtësisë ka qenë i madh për shkak se ata nuk kanë kaluar qoftë edhe një nga kriteret e vlerësimit. KPK-ja ka dhënë 174 vendime për konfirmimin në detyrë, 155 vendime për shkarkimin nga detyra dhe 56 vendime për ndërprerje procesi pas dorëheqjeve të subjektit të rivlerësimit ndërsa rreth 400 të tjerë pritet t’i nënshtrohen këtij procesi.
REFORMAT QË KËRKOJNË BASHKËPUNIM PS-PD
Kjo legjislaturë rikthen opozitën, PD-në dhe LSI-në në Kuvend dhe nisur nga retorika e tyre betejat parlamentare projektohen të forta. Megjithatë, duket se bashkëpunimi mes maxhorancës dhe opozitës është i pashmangshëm. Kryedemokrati Lulzim Basha në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Kombëtar të PD-së kritikoi ndryshimet kushtetuese të 2008, duke i cilësuar se nuk referojnë më shqetësimet e shqiptarëve për demokraci. Por, për të realizuar një gjë të tillë duhet patjetër që PD-ja të bashkëpunojë me Partinë Socialiste dhe të prodhojnë një draft konsensual ndryshimesh kushtetuese.
Vetëm në këtë mënyrë, drafti mund të miratohet dhe të marrë formë ekzekutimi, pasi Kushtetuta miratohet me shumicë të cilësuar votash. Kodi Zgjedhor është një pikë tjetër ku PS-ja e PD-ja janë të imponuara të bashkëpunojnë. Pas miratimit të ndryshimeve të njëanshme në tetor të 2020, Komisioni i Venecias kërkoi që palët të ulen dhe të ndryshojnë mundësinë që jep Kodi Zgjedhor për kandidimin e kryetarëve të partive në më shumë se 1 zonë. Ndërkohë, ka edhe shumë pika të tjera që kundërshtohen nga Partia Demokratike. Duke qenë se Kodi Zgjedhor miratohet në Parlament kërkon minimalisht 84 vota duhet patjetër bashkëpunim, pasi PD-ja ka vetëm 59 deputetë, ndërsa PS-ja 74 mandate.
Kjo legjislaturë do të zgjedhë edhe Presidentin i ardhshëm të Republikës, pasi Ilir Metës mandati presidencial i përfundon zyrtarisht në 22 korrik 2022, nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos ta shkarkojë atë më herët. Kryeministri Rama e ka bërë të qartë se ka gjithë vullnetin për t’u ulur në tavolinë me PD-në për bashkëpunim në disa reforma, si dhe për zgjedhjen e një Presidenti konsensual.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



