E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Miratohet vendimi: Ja sa milionë lekë do të shkojnë për subvencionimin e qirave
Publik News

Miratohet vendimi: Ja sa milionë lekë do të shkojnë për subvencionimin e qirave

Ditën e sotme Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond shtesë në buxhetin e shtetit me një shumë prej 800 milionë lekësh, për subvencionimin e pagesave të qirasë për familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në këtë vendim, të publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave, thuhet se efekti financiar, prej 800 000 000(tetëqind milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.

VENDIM
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, PËR SUBVENCIONIMIN E PAGESAVE TË QIRASË PËR FAMILJET E MBETURA TË PASTREHA, SI PASOJË E FATKEQËSIVE NATYRORE, TËRMETIT TË DATËS 26.11.2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ nr.37, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për një ndryshim në aktin normativ nr.8, datë 7.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në programin e strehimit, shtohet fondi prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”, përkatësisht, në produktin për pagesat e subvencionimit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019.
Efekti financiar, prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.