Kompanitë e gazit miliarda euro fitime në kulmin e krizës energjitike
Operatorët europianë të transmetimit të gazit dhe kompanitë e tyre mëmë realizuan 4 miliardë euro fitime në gjashtë muajt e parë të 2021, edhe pse kriza energjetike kishte filluar të ndjehej në sasitë e lëndës djegëse.
Shifrat dalin nga një analizë e “Global Witness”, një organizatë joqeveritare.
Analiza tregon se 26 kompani që janë anëtare të Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Gazit (ENTSOG) panë rritje të fitimeve të tyre në gjysmën e parë të 2021, ndërsa kriza energjetike kishte filluar të godiste Europën.
Kompanitë e cituara në raport përfshijnë Fluxys të Belgjikës, Gasunie, e cila ka filiale në Holandë dhe Gjermani dhe SNAM të Italisë, të cilat të gjitha operojnë rrjetet e transmetimit të gazit në vendet e tyre.
Kompanitë e tjera nuk kanë publikuar ende të dhënat financiare për vitin 2021. Kompania e gazit dhe naftës, Wintershall Dea, nga ana e saj realizoi 243 milionë euro fitim midis korrikut dhe shtatorit të këtij viti, 245 për qind më shumë nga viti 2020.
Në fillim të këtij muaji, kryetari dhe CEO i Wintershall Dea, Mario Mehren e përshkroi tremujorin si “të jashtëzakonshëm” dhe “të mbështetur nga një mjedis konstruktiv i çmimeve të mallrave dhe në veçanti nga çmimet europiane të gazit të cilat pritet të qëndrojnë të larta edhe gjatë gjithë dimrit”.
Kjo vjen në kontrast të plotë me shqetësimet për rritjen e niveleve të varfërisë energjetike pasi qytetarët europianë përballen me çmimet në rritje të gazit përpara sezonit dimëror të ngrohjes.
Numri i njerëzve që jetojnë në varfëri energjetike, pra që nuk mund të përballojnë dot financiarisht ngrohjen, në Europë ishte në miliona të tillë përpara se të ndodhte kriza energjetike dhe ka shqetësime se edhe më shumë nuk do të jenë në gjendje të ngrohin shtëpitë e tyre këtë dimër.
“Në një kohë kur shumë europianë detyrohen të zgjedhin midis ngrohjes dhe ngrënies, kompanitë e fuqishme europiane të gazit po gëzojnë fitime të mëdha”, tha Jonathan Noronha-Gant, aktivist i lartë i gazit në Global Witness.
“Ndërsa këto kompani transferojnë rritje masive të çmimit të gazit tek njerëzit më të cenueshëm, kjo lë një shije të hidhur, që të njëjtat kompani vazhdojnë të gëzojnë fitime të majme” shtoi ai.
ENTSOG hodhi poshtë pretendimin, duke thënë se tarifat e operatorëve të sistemit të transmetimit të gazit të BE-së (OST) janë “të rregulluara plotësisht dhe të kontrolluara nga afër nga rregullatorët kombëtarë të energjisë”.
“Prandaj, rregullatorët kombëtarë po kontrollojnë dhe miratojnë të ardhurat dhe kostot e OST-ve dhe OST-të do të lejohen vetëm të mbulojnë kostot e tyre të arsyeshme dhe të dokumentuara, duke përfshirë shlyerjen dhe kthimin e arsyeshëm në investimet në infrastrukturë”, tha Jan Ingwersen, drejtor i përgjithshëm i ENTSOG.
“OST-të e gazit nuk kanë të ardhura shtesë për shkak të çmimeve më të larta të gazit, e kundërta po ndodh pasi çmimet më të larta të gazit mund të rezultojnë në vëllime më të ulëta të transportit të gazit”, tha Ingëersen për EURACTIV.
Ingwersen sugjeroi gjithashtu se disa nga informacionet financiare nga kompanitë e transmetimit të gazit mund të kenë ardhur nga aktivitete që nuk lidhen me transmetimin e gazit. Metodologjia e Global Witness përfshin 1 miliardë euro nga kompanitë e gazit dhe 3 miliardë euro nga kompanitë e tyre mëmë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



