E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama flet për përlasjet në PD: Fatkeqësi në zhvillim e sipër. Është kthyer në një zonë të zymtë ku klith e shkuara
Politikë

Rama flet për përlasjet në PD: Fatkeqësi në zhvillim e sipër. Është kthyer në një zonë të zymtë ku klith e shkuara

Një fatkeqësi në zhvillim e sipër në Partinë Demokratike që vërtetë të lë një shije të hidhur sepse katandisja e një partie që lindi si forca e re e shpresës dhe të së ardhmes në një zonë të zymtë ku klith e shkuara është vërtetë për të ardhur keq dhe ka në vetvete një shëmti të madhe”- kështu shprehet kryeministri Edi Rama, ndërsa komenton në emisionin ‘Kjo javë’, zhvillimet në Partinë Demokratike.

Sa i takon bashkëpunimit me opozitën, Rama tha qasja e tij e re me opozitën nuk është një qasje që lidhet me një person apo me një grup personash.

“Qasja ime e re me opozitën nuk është një qasje që lidhet me një person apo me një grup personash. Është një qasje që lidhet me domosdoshmërinë që kultura politike në Shqipëri të lehtësohet nga barra e rëndë e të shkuarës nga pesha e rëndë e baltës që e ka karakterizuar në tërësi jetën tonë politike dhe bashkëjetesën tonë politke. Kështu që nuk shoh pse duhet ta kemi këtë dilemë. Është çështja e tyre se kush zgjidhet, kush nuk zgjidhet.”- theksoi Rama.

Pjesë nga intervista:

Jeni shprehur për një frymë të re bashkëpunimi me opozitës në këtë mandat. A qëndron kjo ofertë nëse zhvillimet e brendshme të PD do të cojnë në një lidership të ri?

Kreun e Partisë Demokratike e zgjedhin anëtarët e PD, forumet e PD. Nuk e zgjedh unë, nuk e zgjedh Partia Socialiste. Nëse do të ishim ne që do zgjidhnim sigurisht asnjëri nga këta janë apo pretendojnë të bëhen, nuk do të ishin të denjë për Partinë Demokratike sepse nuk janë në fakt për historinë dhe antarësinë e shëndetshme të PD-së. Qasja ime e re me opozitën nuk është një qasje që lidhet me një person apo me një grup personash. Është një qasje që lidhet me domosdoshmërinë që kultura politike në Shqipëri të lehtësohet nga barra e rëndë e të shkuarës nga pesha e rëndë e baltës që e ka karakterizuar në tërësi jetën tonë politike dhe bashkëjetesën tonë politke. Kështu që nuk shoh pse duhet ta kemi këtë dilemë. Është çështja e tyre se kush zgjidhet, kush nuk zgjidhet.

Do të ishte e njëjta ofertë për të bashkëpunuar edhe nëse Berisha merr PD?

Edhe njëherë, nuk është çështje personash. E para kjo, dhe e dyta nuk dua të komentoj për këtë. Për mua është një fatkeqësi në zhvillim e sipër në Partinë Demokratike që vërtetë të lë një shije të hidhur sepse katandisja e një partie që lindi si forca e re e shpresës dhe të së ardhmes në një zonë të zymtë ku klith e shkuara është vërtetë për të ardhur keq dhe ka në vetvete një shëmti të madhe. Janë gjëra që ndodhin për fat të keq.

Sa komod ndiheni përballë kësaj opozite?

Sa më sfiduese të jetë opozita, aq më e mirë është qeveria. Këtu nuk ka ndonjë gjë për shkencë. Është elementare. Ne natyrisht kemi patur fatkeqësinë të kemi qenë të sfiduar nga një opozitë e dhunshme, nga nje opozitë muskujsh dhe agresionesh që kanë lidhje më shumë me barbarinë sesa me qytetarinë dhe kjo nuk ështe se e ka ndihmuar procesin e qeverisjes ne Shqipëri. Përgjigjia ime është: Jo unë nuk ndihem komod për faktin që kemi përballë një opozitë që nuk na sfidon intelektualisht, nuk na sfidon për t’u sforcuar më shumë dhe për të kërkuar rrugët dhe zgjidhjet më të mira për të adresuar problemet. Por na sfidon duke sfiduar themelet e institucioneve, duke sfiduar themelet e vetë ekzistencës tonë demokratike deri në pikën që të vërë në diskutim se kush janë Shtetet e Bashkuara, kush është ky kush është ai. Deri në pikën që të ngrejë pikëpyetje në integritetin e institucioneve më të rëndësishme të SHteteve të Bashkuara, deri në pikën që të krijojë një frymë të një sovranizmi fshtaresk, në kuptimin më të keq të fjalës..se ku mi gjen fshatarët që punojnë tokën, e ku mi gjen gjithcka që është fshatareske në traditën e mirë të një vendi por në kuptimin e një provincializmi të atyre që kapardisen me costume po nën kostum kanë fantazmën e një të shkuare që nuk ka shans të kthehet në Shqipëri.

Jeni shprehur se nuk do të negocioni në anglisht me opozitën, si e komentoni takimin e ambasadores Yuri Kim me Ballen e Rushajn. A eshte ky nje mesazh ?

Nuk di asgjë për këtë takim, se nuk kam qenë këtu. ‘Nuk do negociojmë në anglisht me opozitën’, nuk do të thotë se nuk do ulemi në tryezë nëse na ftojnë për të pirë një kafe, apo për të na thënë cfarë mendojnë miqtë tanë, këto janë dy gjëra të ndryshme. Dhe nuk mendoj se midis Taulantit dhe z.Rushaj ka pasur ndonjë negociatë në anglisht.

A do pranojë z.Rama të ulet për reformën territoriale. Sa eshte i gatshem ai të leshoje duke dëgjuar propozimet e opozitës?

Patjetër që jemi të gatshëm. Reforma territoriale është një temë e rëndësishme, nga sa kam dëgjuar të dyja palët duan që të adresojnë cështjen e reformës territoriale edhe një herë, por ata duan një reformë territoriale që rrit numrin e bashkive, ne duam një reformë territoriale që e ul numrin e bashkive. Sepse mendojmë duke parë faktet që nevoja për burime njerëzore të kualifikuara dhe nevoja për ndarje të qartë mes politikbërjes dhe qeverisjes në nivelin vendor dhe shërbimeve direkte për qytetarin përmes teknologjisë, është shumë evidente. Është një diskutim shumë interesant, ne do ulemi me mendje të hapur,  mbase ata kanë argumenta të mjaftueshëm për të na bindur që duhet ndjekur ideja e tyre, por mbase edhe ne kemi argumente të mjaftueshëm për t’i bindur ata. Nëse ne ulemi me mendje të hapur do bëjmë një gjë të mirë për Shqipërinë, nëse ulemi thjesht për t’u ulur s’ka se si të ketë rezultat.

Për momentin kërkohet një bashkëpunim në Parlament me opozitën për shkak të ndryshimeve kushtetuese që duhen bërë për hir të zgjatjes së mandateve të komisioneve të vettingut. Por opozita propozon edhe reformën territoriale dhe vettingun e politikaneve. E shikoni të ndarë cështjen e zgjatjes së mandatit të komisioneve të vettingut?

Zgjatja e mandatit të institucioneve të vettingut është një proces i cili nuk vjen nga programi i PS dhe nuk është objektiv i qeverisë së dalë nga mandati i tretë. Zgjatja e vettingut vjen nga domosdoshmëri e vënë në pah nga partnerët tanë në reformën në drejtësi, SHBA dhe BE dhe nga gjithë ajo pjesë e shumicës që është angazhuar drejpërdrejtë me aspekte të drejtësisë edhe të vazhdimit të reformës në drejtësi. Qysh në ditën e parë e kam thënë qartë që reforma në drejtësi ka katër faktorë: SHBA – BE – shumica qeverisësë dhe opozita. Ndërkohë që për propozimet e PD janë vetëm dy faktorë që duhet ti trajtojmë dhe që kanë mundësi të vendosim PS dhe PD. Pra, janë dy gjëra komplet të ndara nga njëra tjetra dhe s’ka oferta as kundër oferta. Zgjatja e mandatit të procesit të vettingut nuk është ofertë e PS është një domosdoshmëri e që lidhet me një proces të rëndësishëm kombëtar dhe shtetëror, ndërsa propozimet e PD janë ide të opozitës që meritojnë të respektohen duke u diskutuar dhe ne jemi gati ta bëjmë këtë deri këtu, por lidhje dhe kushtëzime mes të dyjave nuk ka sepse janë komplet gjëra të ndryshme.

A është koha pas pesë vitesh për të bërë një bilanc për reformën në drejtësi: Cfarë shkoi mirë? Cfarë mund të bëhej më mirë? Ku u gabua?

Patjetër mund të bëjmë në cdo kohë bilanc, por unë mendoj që bilanci bëhet në fund. Megjithatë, mund të bëjmë bilanc. Unë mendoj që ka një problem themelor kur diskutojmë për reformën në drejtësi që mbase shumë kush ka menduar që kjo do të jetë e shpejtë që rezultatet do të vijnë shpejt, dhe që sa hap e mbyll sytë drejtësia në Shqipëri do të ndryshojë. Ky nuk është një problem i procesit të reformës, ky është një problem që lidhet me perceptimin për të cilin fola. Unë mendoj që reforma ka shkuar shumë mirë, është në rrugën e duhur, me të gjitha vështirësitë dhe goditjet, apo momentet jo fort të kënaqshme rrugës që janë të pashmangshme nga një proces reforme të tillë dhe të gjithë duhet ta kenë parasysh që një sistem drejtësie si ai që funksion sot në vende me demokraci të zhvilluar të cilave ne duam t’i bashkohemi nuk ngrihet sa hap e mbyll sytë. Dhe realisht 5 vjet janë sa hap e mbyll sytë për historinë e shtetit.

Qartesisht vettingu bëri një pastrim të madh dhe të thellë, por duket se nuk u parashikuan efektet zinxhir në zbrazjen e sistemit. Nëse Shqipëria do të kishte mundësinë ta niste nga e para reformën në drejtësi, do kishte bërë ndryshe?

Jo unë besoj vetëm një gjë që mund të ishte bërë më shpejt, por këtu ka pasur sigurisht influencën e vet gjithë vështirësia e procesit dhe sigurisht ka ndikuar edhe ndërveprimi i domosdoshëm me ONM. Sa i përket radhës së gjërave është ndjekur rradha e duhur. Unë nuk mendoj që Shqipëria humbi ndonjë gjë pse pastroi gjykatën Kushtetuese dhe për një periudhë nuk e kishte gjykatën Kushtetuese funksionale, sepse sic thotë një fjalë e urtë ‘më mirë djepi bosh se shejtani brenda’. Unë nuk mendoj se Shqipëria humbi dhe ne tani jemi duke menduar për të parë se si tani mund nga pikëpamja administrative, sa i takon shtetit të lehtësojmë sa të mundemi nga barra e dosjeve pafund që janë akumuluar atje në gjykata, gjithë këtë proces të ndërtimit të institucioneve të reja.

Paralel me reformën në drejtësi, si do të ecet në mandatin e tretë?

Reforma në drejtësi është në rrugën e vet, nuk varet nga ne nuk jemi ne që e bëjmë. Ne thjesht e kemi mbështetur, kemi bërë gjithçka që është kërkuar për t’i dhënë gjithë mbështetjen e duhur institucioneve të reja, për t’i dhënë gjithë mjetet e duhura në dispozicion duke filluar nga mjetet financiare. Por nuk është pjesë e punës së përditshme të qeverisë, është pjesë e jona për të qenë aty kur duhet mbështetur, sic është rasti që duhet mbështetur në parlament zgjatja e mandatit te vettingut. Puna jonë është të realizojmë objektivat e mandatit të tretë dhe të bëjmë një pjesë të rrugës drejt asaj maja ku unë mendoj Shqipëria meriton të ngjitet në 2030. Ndaj jemi duke punuar, që me buxhetin e parë të mandatit të tretë për vitin 2022, do bëjmë disa lehtësime të rëndësishme dhe do vendosim fokus në disa objektiva të rëndësishme. Zerimi i tatimit mbi fitimin për të gjithë ata që kanë një pagë deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimi i tatim fitimit për ata me pagë deri në 500 mijë lekë të vjetra, thuajse përgjysmimi i tatim fitimit për ata që kanë pagë deri në 2 mln te vjetra janë lajme shumë të mira. Plus edhe rritja e pagave përsëri për mësuesit, mjekët, infermierët, për punonjësit e policisë dhe drejtuesit që shkojnë në zona të tjera, dyfishimi i ndihmës për nënat me tre fëmijë, dyfishimi i ndihmës ekonomike për gratë dhe vajzat e trafikuara apo që jetojnë vetëm, janë të gjitha pozitive mendoj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.