Kukësi, “bashkia model” për Brezin e Gjelbër Evropian 2021
Bashkia e Kukësit u vlerësua sot me çmimin “Bashkia model” për Brezin e Gjelbër Evropian 2021, në kuadër të masave dhe ndërhyrjeve që ka ndërmarrë kjo bashki në funksion të promovimit dhe mbrojtjes mjedisore.
Ky çmim iu dorëzua kryetarit të bashkisë së Kukësit, Safet Gjici nga drejtori ekzekutiv i EuroNatur, Gabriel Schwaderer.
Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, Schwaderer përgëzoi bashkinë dhe në veçanti kryetarin Gjici, për kontributin e dhënë në ruajtjen e natyrës përgjatë Brezit të Gjelbër Ballkanik.
Kukësi ka luajtur një rol shumë aktiv në përcaktimin e parkut natyror Korab-Koritnik dhjetë vjet më parë dhe që nga ajo kohë ka vazhduar të jetë i përfshirë në rajon. Shqipëria u mbyll plotësisht nën sundimin komunist dhe zonat e saj kufitare të mbrojtura u bënë strehë për shumë specie kafshësh dhe bimësh të rrezikuara.
Shoqata Evropiane e Brezit të Gjelbër ka uruar kryebashkiakun Gjici për mbrojtjen e tulipanit shqiptar (Tulipa albanica). Bima gjendet vetëm në zonat me lartësi të mëdha të Shqipërisë dhe është e kërcënuar nga aktivitetet minerare.
Kryebashkiaku Gjici tha se ruajtja e natyrës i ofron Kukësit mundësi të mëdha për ekoturizëm.
“Administrata e qytetit është e përkushtuar ndaj aktiviteteve zhvillimore me ndikim të ulët që nuk shkatërrojnë natyrën”, tha Gjici.
EuroNatur dhe organizata e saj partnere shqiptare PPNEA mirëpresin forcimin e ekoturizmit, por gjithashtu theksojnë se mundësi të tilla duhet të shkojnë paralelisht me një përgjegjësi për të ruajtur natyrën.
/k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij./ ATSH
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



