Qeveria dhe KPK në një linjë, parashikojnë buxhet një vit për vetingun
Maxhoranca dhe opozita duket se janë larg dakordësisë në Parlament për të zgjatur mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili përfundon në qershor 2022 dhe më pas vetingun, sipas Kushtetutës, e bën KLGJ-ja dhe KLP-ja.
Por megjithatë, qeveria dhe KPK-ja janë në një linjë kur bëhet fjalë për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Qeveria i refuzoi kërkesën KLGJ-së për t’i parashikuar buxhet për vitin e ardhshëm, por i ka miratuar për një vit Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi, e ngriti këtë shqetësim në mbledhjen e djeshme. “Dëgjova këtu për objektiva afat mesëm, ka një gjë që është e sigurt në republikën tonë edhe pse e marrim me shaka, Kushtetuta. Para 5 vitesh deri në orët e fundit të datës 25 korrik, jemi marrë pikërisht me komisionet e vetingut dhe e vendosëm që ju skadon afati në qershorin e vitit që vjen. Kjo është një e dhënë e sigurt sot. Ju jeni zbatues, ju nuk bëni gjë tjetër, a zgjatet afati apo jo, nuk është çështja juaj. Përmenden fondet të parashikuara deri në fund të vitit, edhe këtë nuk e kuptova, se në rast se do të zbatohet Kushtetuta për gjysmën e dytë do t’i kenë institucionet e tjera fondet. Kam dëgjuar ministren që paratë i kemi alokuar për institucionet aktuale. Nuk e kuptoj sepse nëse do zbatohet Kushtetuta, më 1 janar, institucionet kompetente duhet të bëhen gati. Kushtetuta është një gjë që e dinë të gjithë që është ashtu dhe askush nuk e di që do të ndryshojë. Dhe për rrjedhojë, unë mendoj se ju do planifikoni mbi bazë të Kushtetutës. Pyetja ime është: kërkesën e keni bërë deri në afatin tuaj kushtetues apo deri në fund të vitit, pse? Për Ministrinë e Financave kam pyetjen: nëse kërkesa është bërë deri në fund të vitit, ia keni kundërshtuar? Se ju e merrni të mirëqenë ligjin”, tha Bylykbashi.
Por, kryetarja e KPK-së, Pamela Qirko, tha se kërkesa është bërë nga vetë KPK-ja për zgjatjen e mandatit ndaj edhe planifikimi është bërë 1-vjeçar. “Nuk ka lidhje me politikën besoj, kërkesa i është adresuar nga ne Kuvendit, nga një analizë që kemi bërë ne kemi evidentuar pamundësinë për përfundimin e procesit të rivlerësimit, prandaj kemi kërkuar zgjatjen e mandatit, kjo e mbështetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Sa i përket buxhetit, është në të njëjtën linjë me kërkesat tona. Pra duke qenë se kemi bërë një kërkesë me dije ku kërkojmë zgjatjen, buxheti është me të njëjtën linjë. Pra, i shkon linjës së kërkesave tona, në skenarin nëse do mundet ky Kuvend të zgjas mandatin. Kërkesa është për buxhet njëvjeçar”, tha Qirko.
Ndërsa sipas maxhorancës, “Siç e tha Bllako, Buxheti hartohet në bazë të funksioneve. Ka ligje për hartimin e buxhetit. Buxhetohet funksioni. Keni marrë 4 përgjigje dhe ju sërish pyesni. Buxhetimi bëhet për një vit. Do filloj te organet që e bëjnë tani dhe nëse nuk shtyhet mandati, atëherë buxheti i kalon organit tjetër”, tha Bushka.
PAGAT
Ndërsa kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla, u ankua në Kuvend për një shqetësim të mbartur 3-vjeçar. “Siç konstatohet nga projektbuxheti konstatohet që në zërin e shpenzimeve të personelit me numrin aktual të personelit ka një diferencë negative prej 37.5 milionë lekësh. Ky është një problem që vijon prej 3 vitesh. Në vlerësimin tonë në mënyrë të vazhdueshme, Ministria e Financave nuk parashikon në projektbuxhet një fond duhet t’i përgjigjet një të drejte ligjore të këshilltarëve të shtesës për vështirësi. Nuk më vjen mirë që prej 3 vitesh rresht, KPA-ja e ka ngritur këtë çështje në vlerësimin tonë gjyqtarëve tëpër të përgjegjëshëm, bazuar në parimin e pavarësisë institucionale siç është parashikuar në Kushtetutë, gjyqtarët kanë vlerësuar që në nenin 29 nuk ka asnjë autorizim ligjor sipas nenit 118 pika dy e Kushtetutës që kjo çështje të rregullohet me VKM. Propozimi i bërë nga Ministria e Financave ka gjetur përkrahje nga këto dy tre vite edhe nga Kuvendi. Por, në vlerësimin e gjyqtarëve të KPA-së kjo nuk është e bazuar në ligj”, tha Shtylla.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



