“Para vetes nuk vë as demokratët e as PD”/ Berisha i përgjigjet Bashës: Më mirë qiri i fikur se sa i fëlliqur
Mbrëmë në Open në Top Channel, Lulzim Basha, deklaroi se Sali Berisha i kishte thënë se “para vetes nuk vë as PD-në dhe as demokratët”.
Sot, nga foltorja e Kurbinit, vetë Berisha përgënjeshtroi fjalët e liderit aktual të selisë blu.
Ish-kryeministri tha se në asnjë moment nuk i ka thënë që para vetes nuk vë asnjë, por se në luftën për dinjitetin e tij do bënte gjithçka.
“Fakti që unë jam sot midis jush, dëshmon se mbi gjithçka tjetër, vë interesat dhe idealet tuaja. Por të dashur demokratë, cila është e vërteta e kësaj bisede? Jua tregoj unë. Dy muaj pak më parë, vjen më thotë se i ka thënë ambasadorja se nëse Berisha nuk largohet do ketë pasoja të tmerrshme mbi fëmijët e tij.
Unë i them: Lul, kjo beteja ime është betejë për dinjitet. Unë dinjitetin nuk e jap për asgjë në botë, nuk ka forcë që më merr mua dinjitetin. Fëmijët e mi janë 100% dakort me mua, për luftën për dinjitet. Partia ime nëse pranon gënjeshtrën për të vërtetë, nuk meriton të jetë parti. Dhe më tha: po ke të drejtë. Ja pra kjo është e vërteta. Më mirë qiri i fikur se sa i fëlliqur,” tha Berisha.
Ish-kryeministri, Sali Berisha i është përgjigjur Lulzim Bashës lidhur me akuzat se ish-kryeministri ka bashkëpunuar me kriminelët për të mbledhur firmat e delegatëve.
Nga Kurbini, ku mbajti “Foltoren” e radhës, Berisha tha se nuk ka frikë nga kriminelët, dhe është njëriu që ka bërë më shumë denoncime.
Ish-kryeministri tha se Lulzim Basha i ka kërkuar të mos denoncojë Suel Çelën, një element I njohur për policinë në Elbasan, pasi kryetari i PD i kishte thënë “na prish punë”
“Nuk kam frikë unë nga kriminelët unë. I denoncoj për të mbrojtur qytetarët. Kam 26 statuse që kam denoncuar Suel Çelën, këtë kriminel të Elbasanit. Lulzim Basha nuk ka asnjë status. Përveç disa telefonatave me Sali Berishën, ku i thotë mos ia përmend emrin se na prish punë. Kontrolloni tabulatet. Fëmijët e mi, kurrë në jetën e tyre nuk kanë patur asnjë proces gjyqësor për asnjë çështje”, tha Sali Berisha.
Ish-kryeministri paralajmëroi edhe kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij do ketë fatin e Fatos Nanos.
“Të bashkohemi në një lëvizje të fuqishme për rithemelimin e PD-së. Edvin fundin e ke të afërt, Kurbini është në këmbë, mjerë ti çdo të heqësh. Atë paralajmërim që i bëra Nano po ta bëj edhe ty nga kjo sallë, fatin e tij do të pësosh, bëj gati valixhet , nisu për Beograd . Në Shqipëri nuk ke vend, mos harro me marrë me vet edhe Lul pengun”, tha Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



