Nën kërcënimin e pistoletës lodër grabiti zyrën e dhënies së kredive, arrestohet i riu. Ja shuma e parave që u vodhën
Një i ri në Korçë u arrestua pasi nën kërcënimin e një pistolete lodër vodhi një sasi parash në një zyrë të dhënies së kredive.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 7 të Korçës, ndërsa policia identifikoi dhe arrestoi brenda pak minutash autorin e ngjarjes, një 30-vjeçar.
Gjatë kontrollit fizik të autorit policia i gjeti një pistoletë lodër dhe shumën prej 5000 lekë të vjedhura.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, rreth orës 15:45, pas marrjes së informacionit se në lagjen nr. 7, Korçë, në një zyrë e cila shërben për dhënie kredie, kishte hyrë një shtetas i paidentifikuar, i cili duke kërcënuar me një mjet në dukje si pistoletë, kishte marrë një vlerë monetare dhe më pas ishte larguar me shpejtësi, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Falë reagimit në kohë, rrethimit të zonës dhe informacioneve të marra u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit B. A., 30 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



