PD i përgjigjet Komisionit të Rithemelimit: Gjuha dhe aktet e Berishës kanë qëllim të nxisin dhunë, opsion i vetëm që i ka mbetur
Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Komisionit të Rithemelimit.
Mesazhi-Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë Sali Berishën në sulmin që po përgatit kundër Partisë Demokratike për të vendosur hallin e tij mbi të ardhmen e gjithë demokratëve. Çdokush e ka të qartë se gjuha dhe aktet e tij kanë qëllim të nxisin dhunë, si opsionin e vetëm që i ka mbetur. Sali Berisha mund të shoqërohet me trafikant droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9. Mund t’i ftojë në shtëpi, familjarët e tij mund të bëjnë edhe biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash, si dhe mund të ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojrat e fatit, por kurrë nuk kanë për t’u lejuar më të bëjnë biznes me sakrificën e demokratëve. Kurrë më!
Shumica dërrmuese e anëtarëve të Kryesisë së Partisë, Këshillit Kombëtar dhe 5004 delegatë të Kuvendit Kombëtar, më 18 Dhjetor zgjodhën të ardhmen, zgjodhën t’i shërbejnë interesit të demokratëve, zgjodhën t’i shërbejnë vetëm interesit të Shqipërisë. Ne jemi krenarë që jemi partia e parë politike në Shqipëri dhe Rajon që i bashkohet nismës botërore të SHBA për të mbajtur jashtë vendimmarrjes në institucionet e partisë personat e shpallur non-grata për korrupsion, abuzim me pushtetin apo përfshirje në krimin e organizuar.
Kasafortizimi dhe bunkerizimi nuk janë metoda të Partisë Demokratike, por të celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriket dhe zyrat e tyre. Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë. Selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e sakrificave dhe kontributeve, por e mbyllur për ata që e kanë mbajtur peng Partinë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve me shpresën se mund ta përdorin për t’u fshehur, mbrojtur apo rregulluar punët e tyre të pista.
***
Deklaratë – Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD
Deputeti Lulzim Brava e nisi Vitin e Ri me avazin e vjetër të izolimit. Pasi izoloi veten nga 4446 delegatë dhe 43,385 anëtarë që firmosën shkarkimin e tij, ai ka vendosur në prag të protestës paqësore të demokratëve ta kthejë shtëpinë e tyre në bunkerin e vetmisë dhe pazareve të tij. Kështu, në një akt turpi dhe paniku të denjë vetëm për një aparatçik të marrë peng ai ndërron brava dhe po vendos dyer të blinduara për të shndërruar shtëpinë e demokratëve, selinë e Partisë Demokratike, në bunkerin e tij privat.
Me këtë rast i kujtojmë Lulzim Bravës, që mendon se me dyer dhe brava do të mposhtë shumicën dhe pluralizmin në Shqipëri, se ata që shembën regjimin më gjakatar në ‘90 nuk do të lejojnë kurrë asnjë derë, bravë, hekur apo shul të mbajë peng vullnetin e tyre të shprehur përmes votës së lirë.
Partia Demokratike ka lindur si shtëpi e lirisë dhe e tillë do të vijojë të mbetet, kurse Lulzim Pengu së bashku me pengmarrësin e tij do kenë fatin e atyre që bunkerizuan Shqipërinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



